Libër që shëron “viruset”

10 korrik 2020 | 22:42

Avni Dehari

Këto ditë Shtëpia botuese “Artini” në Prishtinë botoi librin e dr. Agim Vincës me titull “Ditar i pandemisë dhe me nëntitullin “Rrëfime nga karantina”.

Librin autori e fillon me përkushtimin për bashkëshorten, shoqen e jetës, e cila si në ditë të mira, si në ditë të vështira, edhe në ditët e karantinës dhe të pandemisë, që nga fillimi, i qëndron pranë dhe e mbështet prore. Nga nënteksti i përkushtimit, një fjali e zgjeruar që i mungon kryefjala, por që nënkuptohet shumë lehtë, kuptojmë se autori, Agim Vinca, pa mbështetjen e bashkëshortes nuk do ta shijonte si e sa duheteliksirin e lumturisë dhe nuk do ta kishte në këtë shkallë forcën e pashtershme për ta përballuar koronavirusin pandemik, sidomoskoronavirusin politik, pasojat e të cilit shpesh ia kalojnë coronavirusit pagëzuar me emrin Covid 19.

Dielli i librit “Ditar i pandemisëlind më 14 mars 2020 dhe perëndon me shkrimin përmbyllës “Dollia e fundit”, ku ka gjetur vend edhe poezia e poetit kilian po me këtë emër, vjen pas rrëfimit “Triumfi i jetës”, shkruar të hënën, ditën e parë të javës, më 1 qershor 2020, rastësi e befasishme (!) a e planifikuar me kohë. Pas rrëfimit të parë, si në një varg margaritarësh, pasojnë njëri pas tjetrit titujt e rrëfimeve, shoqëruar me data, që është veçori për gjininë e ditarëve.

Titulli “Ditar i pandemisë”, që në vështrim të parë, ia bën me dije lexuesit se në këtë libër autori i ka vënë për qëllim vetes të bëjë fjalë për përhapjen dhe për rrezikun e kësaj pandemie me emrin “koronavirus“. Gjatë leximit nuk ke si të mos e ndryshosh deri në njëfarë mase mendimin për këtë. Edhe pse përkufizimi i parë nuk mund të hidhet poshtë, “Ditarin e pandemisë”shtrirje më të madhe se koronavirusi Covid 19 ka koronavirusipolitik, na kurthohet nëpër këmbë në të gjitha përpjekjet për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, shtetit më të ri në Ballkan, në Evropë e në botë.

Libri “Ditar i pandemisë” ngjan me një tren me tetëdhjetë vagonë, që për lokomotivë ka koronavirusin, që është përhapur që nga lindja në perëndim dhe që nga jugu në veri. Përjashto lokomotivën, në ballë të së cilës me sytë e mendjes lexojmë afishen “Ditar i pandemisë, pasojnë vagonët, që përpos “mallit” Covid 19 kanë të ngarkuar më shumë “mallra” të tjerë. Po cilat janë këto “mallra”? Rrëfim pas rrëfimit, faqe pas faqes, rresht pas rreshtit zbulojmë se më tepër se Covid 19 në ata vagonë ka më tepër mall me emrin koronavirus politik, nga i cili nuk mund të mbrohemi as me përdorimin e maskave, që e mbulojmë gojën, as me alkoolin medicinal e as me detergjentet e shumtë,që përdorim për t’i pastruar duart, për ta ndaluar koronavirusinpandemik për tu futur në trupin tonë. Nganjëherë të mbushet mendja se edhe afishja në ballë të lokomotivës nuk e thotë krejt atë që duhet të thuhet. Si lexues më shumë më duket se për ta përligjur emrin e ditarit, autori koronavirusin e ka përdorur për binarë nëpër të cilët rrëshqasin lokomotiva dhe vagonët e ngarkuar përplot me larushi “mallrash”.

Libri “Ditar i pandemisë” është më shumë se ditar. Kjo nuk është rastësi. Autori është i vetëdijshëm se libri, që ka dalë nga pena e tij krejt natyrshëm, i thyen caqet e ditarit. Mu për këtë arsye poshtë titullit “Ditar i pandemisë” qëndron nëntitulli“Rrëfime nga karantina”, që arsyeton titujt e tetëdhjetë rrëfimeve. Në shumë nga këto rrëfime të dhënat për pandeminë koronavirus jepen vetëm me pak rreshta, por kjo nuk e dëmton aspak fillin e perit të lëmshit koronavirus. Ky fill, nga vagoni i parë deri në vagonin e fundit, pashkëputshëm lidh rrëfimin për pandeminë që ka përfshirë tërë botën. Ky fill po ashtu e mban peng dhe pezull lexuesin derisa t’i dalë në fund leximit të librit.

Autori i këtij ditari na shëmbëllen me një kameraman,,qoftë nga ballkoni i banesës, qoftë nëpër rrugët e qytetit, Prishtinës, me dashuri të pashoqe, me zell të pakrahasueshëm dhe me profesionalizëm të rrallë i kap ngjarjet e ndryshme të jetës sonë të përditshme dhe i ngarkon në vagonët si “mall” në të cilët më shumë gjen virus politik se sa Covid 19. Në këtë “mall”, që zë vend nga vagoni i parë deri në të fundit, shpesh hasim më shumë të dhëna për dukuri të fushave të ndryshme të jetës, se sa të dhëna për përhapjen dhe për pasojat e kësaj pandemie. Si mjeshtër i përdorimit dhe i latimit të fjalës së shkruar, autori, Agim Vinca, ia kalon aftësive teknike që ka kamera për t’i kapur dhe për t’i arkivuar ngjarjet rreth nesh. Derisa kamera sjell ngjarje të ngurtësuara, autori i këtij libri me aftësinë e shkrimtarit ia del që këto ngjarje të na i sjellë jo të ngurta, por me shpirt, të gjalla. Edhe personazhet, që janë të shumtë dhe të ndryshëm, bartësit e këtyre ngjarjeve, lëvizin, flasin dhe veprojnë. Disa nga ta janë fisnikë, meqë mundin dhe djersën e tyre i vënë në shërbim të qytetarëve dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës, që autori i quan qeveritarë legjitimë të “Qeverisë Kurti dhe kundërshtarët e saj, pushtetarët, që për njëzet vjet me radhë, e kanë hedhur Kosovën në një baltinë moçalike, ku kanë mbjellë kaos, anarki, varfëri, korrupsion, krim, padije Këto të mbjella, të keqpërdoruesve të shtetit, që nga Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së dhe ish-kryekuvendar dhe shumë të tjerë që në libër bartin emra dhe mbiemra realë, ua bëjnë jetën ferr qytetarëve, kurse i majmin dhe i pasurojnë qeveritarët që nuk i shërbejnë shtetit, por shtetin për interesa të ulëta e vënë në shërbim të tyre. Qeveria legjitime e gjashtë tetorit 2019, që i vuri vetes për qëllim ta shërojë Kosovën nga “koronavirusi” politik dhe nga koronavirusi pandemik, i bëri keqpërdoruesit e pushtetit, që për njëzet vjet kishin kapur shtetin, të hidhen si hiena dhe me mocion mosbesimi ta grabitin pushtetin duke e rrëzuar në kohë pandemia (veprim i pashembullt), “Qeverinë Kurti, qeverinë eshpresës, që erdhi në pushtet me votën popullit.

Në këtë libër përpos të dhënave për dukuri politike hasim edhe shumë të dhëna nga fushat e ndryshme të kulturës e të shkencës. Të dhënat që autori i sjell në këtë libër shpesh përkojnë me të dhëna enciklopedike. Të tilla janë njohuritë për koronavirusin, për karantinën, për ëndrrat, që i mbështet nëanalizat psikoanalitikeZigmund Frojdit, për disa shkrimtarë dhe për disa vepra të tyre, kur flet për Dritëro Agollin, për Kadarenë, për Kamynë dhe për romanin e tij “Murtaja”, si dhepër poetë që janë bërë pronë e popujve të gjithë botës etj.

Libri i Agim Vincës, që mund të krahasohet me një tren me tetëdhjetë vagonë, shëmbëllen edhe me një kopsht me shumë pemë, me shumë perime e me shumë lule. Në këtë kopsht, në të cilin futemi për të marrë ndonjë frutë, ndonjë perime, a ndonjë lule, që e shohim nga jashtë, mbetemi të mahnitur nga larushia e tyre, që i ndeshim në çdo hap që hedhim brenda kopshtit. Një libër të këtillë, kaq të natyrshëm dhe shumë origjinal, mund ta shkruajë vetëm një intelektual, një studiues, një shkrimtar e një poet si Agim Vinca, që gjithë jetën ka lexuar dhe ka shkruar poezi, prozë dhe trajtesa të ndryshme, në të cilat në mënyrë shkencore trajtohen çështjet e artit dhe të politikës në përgjithësi.

“Ditari i pandemisë” na vjen si një vepër shumë origjinalenë një kohë pandemie. Titullit të librit autori me qëllim i ka shtuar edhe nëntitullin plotësues “Rrëfime nga karantina”. Nga karantina, ku, si të gjithë ne, edhe ai është futur për t’u mbrojtur nga rreziku i koronavirusit, në mënyrë të natyrshme dhe me shumë sukses ia ka dalë t’i shohë dhe t’i trajtojë edhe çështjet politike, kulturore dhe marrëdhëniet njerëzore. Si një shkrimtar e si një intelektual i përgatitur me kohë e si duhet në disa faqe ai ika prekur majat e marrëdhënieve të miqësisë, të armiqësisë, të familjarit, kur flet për prindërit, për motrat e vëllezërit, për mbesat e për nipat; kur flet për miqtë, për dhëndurët, për studentët, për delenxhinjtë… Ia ka dalë të shkruajë me mjeshtëri të rrallë për gëzimet, për hidhërimet, për dasmat, për vdekjet, për spitalin, për burgun, për të zhdukurit, për çlirimtarin, për lirinë, për robërinë, për mërgimin, për atdheun, për vizitat Vetëm një shkrimtar me kulturë të gjerë, që gjithë jetën ka ushtruar mjeshtërinë e të shkruarit, ia del ta paraqesë ngrohtësinë e dashurisë së gjyshit dhe të mbesave e të nipave, që kanë për njëri-tjetrin. Vetëm një intelektual i kompletuar dhe një shkrimtar i talentuar, si Agim Vinca, mund ta paraqesë në mënyrë aq të përsosur, me anë të kultivimit të bletëve, urrejtjen emaqedonasve dhe të serbëve shovinistë që kanë për shqiptarët.   

Agim Vinca nuk është vetëm një vrojtues i mirë i realitetit. Ai me qëndrimet dhe me bindjet e tij, i shfaq hapur dhe me guxim, bëhet edhe këshilltar i mirë se si duhet t’i kundërvihemi së keqes dhe si duhet ta mbështesim të mirën, bëhet edhe analizues i mirë i ngjarjeve politike, shtrat në të cilin zënëvendin e tyre të gjitha çështjet shëndetësore, ekonomike, arsimore ― e mira dhe e keqja e një populli. Në këtë shtrat, që simbolizon jetën, ai luan rolin e intelektualit të mirëfilltë, rolin e  njeriut që ia do të mirën popullit, atdheut dhe gjithë njerëzimit.

Për fund: Blijeni biletën për në trenin e Agim Vincës me tetëdhjetë vagonë, që në ballë të lokomotivës mban afishen “Ditari i pandemisë…” nëse doni ta luftoni suksesshëm pandeminë Covid 19 dhe “koronavirusin politik”. Leximi i këtij ditari është një terapi që në këtë kohë pandemie na shëron jo vetëm nga virusi Covid 19, por edhe nga të gjithë “viruset” që e shigjetojnë njeriun nga lindja deri në vdekje.

Prishtinë, 9. 7. 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj i është vërsulur kryetares së…