Libër që u jep zë shumë njerëzve të heshtur
Shkruan: Mr. sc. Bedri Zyberaj
Në historinë e letërsisë shqiptare, sikurse edhe në historitë e letërsive të shumta të botës, ka një korpus veprash autobiografike me karakter dokumentar që, në një formë apo në një tjetër, shpalosin të dhënat biografike të autorëve për veten.
I pari që ka kultivuar këtë tip letërsie te ne ka qenë Jeronim de Rada me veprën e tij “Autobiologia”. Këtë praktikë më vonë e kanë vazhduar Fan Noli, Petro Marko e të tjerë.
Një gjë të tillë ka mëtuar ta bëjë edhe Hysen Kryeziu me librin Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës e cila po promovohet sot.
Ky autor përmes këtij libri është përpjekur ta përmbledhë dhe ta përshkruajë jetën e vet mbi 60-vjeçare, 1959-2020. Për më tepër, në fillim, shkurtas përpiqet të hedhë dritë edhe mbi të kaluarën e familjes së tij, e sidomos të së kaluarës së gjyshit, Muharrem Fetahut.
Lexuesi sapo ta marrë librin në dorë do ta kuptojë se ky libër ka të bëjë edhe me burgjet.
Edhe për këtë aspekt duhet thënë që në fillim se në historinë e letërsisë shqipe ka një traditë të kultivimit të asaj letërsie dokumentare që ka të bëjë me burgjet.
I pari që ka shkruar një vepër të tillë ka qenë Pashko Vasa, i cili në vitin 1850 ka botuar librin Burgimi im, episod historik nga rrethimi i Venedikut, për të vazhduar pastaj nga Adem Demaçi, Atë Zef Pllumi, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Maks Velo si dhe një numër autorësh të ndryshëm që pas çlirimit të Kosovës kanë zënë të botojnë libra apo fragmente shkrimesh për përjetimet e tyre në burgjet jugosllave gjatë kohës së monizmit e sidomos për burgjet (term më i saktë është kampet) gjatë kohës së luftës së UÇK-së.
,,Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës” mëton të jetë libër dokumentar edhe për jetën në burgje, ku autori i tij ka provuar ,,shijen” e burgut në kohë paqeje (1982) dhe në kohë lufte 1998-’99.
Ky libër biografik është një dëshmi e guximshme e vuajtjeve, sakrificave dhe qëndresës së një njeriu të thjeshtë, i cili përballoi me dinjitet dhe kurajë kohët më të errëta të shtypjes politike dhe të padrejtësisë sistematike. Përmes faqeve të librit lexuesi udhëton bashkë me autorin nëpër labirintet e errëta të burgut, ku çdo ditë ishte një betejë për jetën dhe dinjitetin njerëzor. Ky rrëfim i sinqertë dhe i hollësishëm na ofron një pasqyrë të pakursyer mbi realitetin e rëndë dhe brutal që kanë përjetuar shumë të burgosur politikë nëpër burgjet e Kosovës dhe ish-Jugosllavisë në kohë paqe dhe në kohë lufte.
Nëpërmjet kujtimeve dhe përshkrimeve të tij lexuesi ka mundësinë të mësojë jo vetëm dhunën fizike dhe psikologjike, por edhe mënyrën se si njeriu mund të rezistojë ndaj çdo përpjekjeje për t’i shuar shpresën e jetës. Dhunimet e rënda, izolimet, dënimet shtesë, mungesa e kushteve elementare, spiunët dhe bashkëpunëtorët e sistemit, përpjekjet për t’i thyer shpirtin e lirë, nuk arritën ta zhdukin atë forcë të brendshme që lind nga dashuria për atdheun, familjen dhe idealet e lirisë. Kjo është ana tjetër e pamjeve që përshkruhen në këtë libër.
Libri na kujton rëndësinë e rezistencës njerëzore dhe të frymës së pavarur që, edhe pse në kushte ekstreme, përpiqet dhe ia del të mos dorëzohet. Pra, përpiqet ta ruajë veten, shokët dhe ta mbajë besimin në drejtësi. Përveç kësaj, ky rrëfim nxit dhe reflektimin mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe nevojën për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e veprimeve antihumane dhe shtypëse. Ai është një apel i fuqishëm për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe të lirisë, po ashtu një kujtesë për brezat e ardhshëm që lufta për të drejtat dhe lirinë kërkon sakrifica të mëdha.
Në mënyrë të veçantë libri thekson lidhjet e forta që krijohen mes njerëzve në kushte të vështira, solidaritetin dhe mbështetjen që ndihmojnë për t’i përballuar sfidat e mëdha dhe ku fati i individit ecën nëpër një pe të hollë që ndan jetën nga vdekja. Përshkrimet e takimeve me shokët e idealit, përqafimet, sinjalet e shpresës gjatë vizitave, apo edhe komunikimi i fshehtë përmes trokitjeve në mur, tregojnë se edhe në errësirë njerëzit gjejnë mundësinë për të komunikuar me njëri-tjetrin në forma të ndryshme.
Ky libër nuk është vetëm rrëfim individual, por dokument i rëndësishëm historik dhe një mesazh universalisht i vlefshëm për të gjithë ata që ndihen të përkushtuar ndaj lirisë, drejtësisë dhe të vërtetës. Ai na fton të reflektojmë për rolin e njeriut në shoqëri, për fuqinë që mund të ketë një zemër e vendosur dhe për rëndësinë e qëndrimit përballë padrejtësisë.
Në këtë mënyrë ai u jep zë shumë njerëzve të heshtur që kanë vuajtur në heshtje, duke u bërë një kujtesë e përhershme për ata që kanë sakrifikuar dhe për ata që vazhdojnë të luftojnë për një botë më të drejtë. Ky libër është një testament i gjallë i një epoke dhe i një njeriu që është përpjekur të mos dorëzohet, dhe tani, përmes rrëfimit, përpiqet të na nxisë edhe neve që të jemi më të guximshëm, më të fortë dhe më të përkushtuar ndaj idealeve tona.
Në fund, e ndiej të domosdoshme të them se libri ,,Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës” i Hysen Kryeziut ka vlera të një dëshmie të fatit të individit në rrethana shtypjeje policore dhe ushtarake për të vetmen arsye se i përket një etnie të shënuar për ndjekje, shfrytëzim dhe mundësisht shfarosjeje dhe zhdukjeje të përhershme.



