Libri “Drejtësi pa llogaridhënie”, reagim racional
Në librin “Drejtësia pa llogaridhënie”, autori, duke iu referuar praktikës së deritanishme të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk ndalon vetëm në mungesën e llogaridhënies së këtyre Dhomave që tanimë duket qartë se ka rezultuar me deformim të drejtësisë, por shkon përtej saj.
Duke shtruar disa pyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet e specializuara të hetuesisë dhe organeve të tjera të drejtësisë por që, për fat të keq, ato pyetje nuk janë bërë deri tani dhe pasi që nuk janë bërë s’ka pasur si të merren përgjigjet, Ibish Neziri prek thelbin e çështjes së mënyrës së formimit të këtyre dhomave. Janë formuar si rrjedhojë e një deformimi të së vërtetës dhe, për fat të keq, sipas autorit, në mungesë të llogaridhënies, vazhdojnë të jenë në funksion të deformimit të drejtësisë dhe të historisë së një lufte që e kemi përjetuar gjatë viteve 1997-1999.
Formalisht, sipas autorit të këtij libri, deformimi i së vërtetës ka kulmuar me aprovimin e Rezolutës mbi bazë të Raportit të Dik Martit për luftën e UÇK-së nga Këshilli i Evropës, në janar të vitit 2011, pas të cilit kanë pasuar entitetet juridike – Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Hagë – për të cilat institucionet e Kosovës në fillim nuk është se nuk kishin rezerva, por nuk e patën kundërshtuar dhe penguar formimin e tyre, ngaqë pretendimet e atij raporti (Raportit Marti) ishin aq të pakuptimta sa nuk mund ta merrnin me mend që një njeri normal mund ta besonte një gjë të tillë. Pretendimet për trafikim organesh nga një guerile që ushtarët i vdisnin për një infuzion, dhe të kryera në një vend ku energjia elektrike ishte diçka e dëshirueshme për të paktën gjysmën e ditës prej 24 orësh, ishte gjëja më absurde që mund të mendojë njeriu.
Megjithatë, ky Raport u formalizua me një rezolutë të KE-së, prej së cilës fillimisht u bënë hetime nga një Task Force që konstatoi se nuk kishte trafikim organesh.
Dhe pyetja që shtron autori në mënyrë të tërthortë, se pse me aq ngulm u pretendua për të bërë hetime dhe u hetua për trafikim organesh atje ku nuk kishte kushte për gjëra të tilla dhe, mbi të gjitha, nuk kishte kufoma, ndërkaq u hesht për 744 kufomat që janë gjetur në Batajnicë – vetëm 20 km larg VMA-së, ku rreth tri dekada më herët kishte filluar transplantimi i organeve, paraqet një enigmë më vete, së cilës, derisa nuk i jepet përgjigje e plotë, do të jetë në funksion të heshtjes së të vërtetës së asaj kohe dhe të prodhimit të deformimeve në fushën e drejtësisë.
Siç e dimë, Kosovës iu kërkua me imponim që t’i formonte Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe ajo e bëri këtë gjë me amendamentim të Kushtetutës dhe me Ligjin e veçantë të miratuar në gusht të vitit 2015.
Këto dhoma, sipas autorit të këtij libri, tani janë shndërruar në një teatër absurd, në skenën e të cilit po luhen pjesë tragjikomike që, nëse vazhdohet kështu, siç është vepruar me Pjetër Shalën, Sali Mustafën – Calin, po pse jo edhe me Nasim Haradinajn e Hysni Gucatin, verdikti i tyre do të rezultojë me pasoja jo vetëm për personalitetet që kanë qenë dhe janë subjekte të hetimit dhe gjykimit, por pasojat më të mëdha do t’i kenë, e kaluara historike prej së cilës ka rezultuar shtetësia e Kosovës dhe e ardhmja, jo vetëm e saj, por e tërë kombit shqiptar dhe përtej tyre.
Një problematikë tjetër, dëshmitarë të të cilës jemi secili prej nesh, që ka tërhequr vëmendjen e autorit është dhe koha e gjatë e paraburgimit për katër ish-drejtuesit dhe ish-përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi që, sipas autorit, bie ndesh me standardin e përcaktuar nga GjEDNj. GjEDNj në lidhje me paraburgimin saktëson se “‘dyshimi i arsyeshëm’ mund ta justifikojë paraburgimin vetëm në fazat fillestare të procedurës, por me kalimin e kohës ai humbet forcën e tij legjitimuese. Në këtë kuptim, kalimi i kohës punon në favor të lirisë, jo kundër saj”.
Në rastin e gjykimit të krerëve të UÇK-së nga Gjykata e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, jo vetëm që nuk zbatohet një standard i tillë, por sa vijnë e shtrëngohen masat kufizuese.
Ish-presidentit Thaçi, trupi gjykues ia kufizon edhe kontaktet me vëllezërit, gjë që, sipas autorit të librit, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si mohim i të drejtave themelore, shkelje e dinjitetit njerëzor dhe tentativë për izolim total të një të pandehuri. Përtej këtyre masave vjen në radhë vetëm ajo e ndalimit të ushqimit, – shprehet ai në formë konkludimi për këtë rast.
Përveç këtyre, lexuesi do të gjejë edhe disa pyetje të tjera që shtron autori në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë e të cilat kanë mbetur pa përgjigje dhe sidomos mungesa e një mbikëqyrjeje të Dhomave të Specializuara, janë parakushtet themelore që kanë mundësuar promovimin e një drejtësie pa llogaridhënie, gjë që paraqet shkelje jo vetëm të normave kushtetuese dhe ligjore vendore (të Kosovës), por edhe të standardeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.
Këto janë disa nga shqetësimet thelbësore të cilat përbëjnë gjithë përmbajtjen e brendisë së librit.
Ibish Neziri është njeri që moshën e jetës së vet e ka të ndarë në dy pjesë. Gjysmën e parë të saj e ka jetuar në një sistem monist (në ish-Jugosllavi), ku ka qenë edhe i burgosur e i përndjekur, ndërkaq gjysmën tjetër në Evropën Perëndimore (në Zvicër), në një hapësirë ku liritë dhe të drejtat e njeriut kanë qenë dhe janë të shenjta.
Meqenëse në pjesën e dytë të jetës së tij ka shijuar ëmbëlsinë e demokracisë dhe lirisë së Evropës Perëndimore, dhe për faktin e të qenit gazetar dhe redaktor (në pjesën më të madhe të kohës) i disa medieve të shkruara dhe audiovizuale perëndimore dhe properëndimore (medieve kroate “Hrvatska Danas” e “Hrvatska Domovina”, “RTV ABC” – radiotelevizion australian, revistës mujore zvicerane “Arbeitsmarkt Agenda”, Cyrih, Radios “Zëri i Kosovës”, Kopenhagë etj.), nuk ka mundur të rrijë duarkryq përballë një padrejtësie që po i bëhet një vlere historike të shqiptarëve, por edhe përballë një rreziku që është shndërruar në precedent për drejtësinë në përgjithësi.
Libri “Drejtësi pa llogaridhënie” është një reagim racional i autorit, i cili është konceptuar dhe mbarështuar, siç e thotë vetë ai, “jo për të mohuar krime lufte, por për të mos pranuar pa prova një akuzë që kërkonte standardin më të lartë të verifikimit”.
Mr. sc. Bedri Zyberaj
Prishtinë, janar 2026
(Parathënia e librit)




