
Libri i Besarta Selmani Raçit, udhëtim për ta rikthyer besimin në mirësi
Këtë javë ka dalë nga shtypi libri “Dritë dielli: si mësova të jetoj ndryshe, të besoj dhe të jetoj me dritë”, një rrëfim personal, frymëzues dhe thellësisht njerëzor për transformimin e jetës përmes besimit, vetëdijes dhe dritës së brendshme.
Ky libër nuk është vetëm një histori jete – është një ftesë për reflektim, për ndryshim dhe për shpresë. Me një gjuhë të ngrohtë dhe të afërt, autorja ndan përvojat që çuan drejt një jete më të plotë, më të ndriçuar.
Librin mund të porositni online në llogaritë e autores në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”.
Parathënia e librit
Ky libër ka lindur nga përvoja ime personale, nga sfidat e jetës, nga dhimbjet e heshtura dhe nga drita që pas shumë përpjekjesh, arrita të gjej brenda vetes.
Zgjodha ta ndaj këtë udhëtim me ju, lexues i dashur, me shpresën që të shërbejë si një fener për ata që ndihen të humbur, të lënduar apo në kërkim të shpresës.
Këto faqe janë shkruar me sinqeritet dhe me dashuri, me dëshirën që çdo fjalë të sjellë qetësi dhe kurajë në çaste të ndjeshme.
Ky libër është një ftesë për t’u ndalur pak, për ta dëgjuar zërin e brendshëm, për të parë përtej errësirës dhe për të kujtuar se dashuria, falja dhe mirënjohja janë udhërrëfyese drejt shërimit.
Është një udhëtim për ta rikthyer besimin në mirësi, për ta hapur zemrën ndaj jetës dhe për ta përjetuar çdo kapitull si një dorë e shtrirë që fton të ecësh me guxim dhe shpresë.
Mendimet e mia s’pretendojnë të jenë të rralla.
Ndoshta edhe ti i ke ndjerë në heshtje, sepse ndjenjat tona lindin nga të njëjtat burime: nga dashuria, shpresa, humbja dhe mungesa. Kjo është arsyeja se, edhe pse nuk jemi takuar, mund të gjejmë veten në fjalët e njëri-tjetrit.
Në këtë hyrje dua të përqafoj çdo lexues me zemër të hapur, që të ndiejë se nuk është vetëm në rrugëtimin e tij.
Fjalët e këtij libri janë një shoqëri e heshtur që flet me gjuhën e shpirtit dhe fton secilin të ndalojë për një çast, të marrë frymë thellë dhe të kujtojë se brenda vetes mbart ende dritë.