LIBRI I LUFTËS SË KOSOVËS

04 mars 2019 | 08:55

Berat Armagedoni

“Libri i luftës”, i gazetarit të Radio Televizionit të Kosovës, gazetarit të luftës dhe të paqes, Nuhi Bytyçit, është shkruar hëm në kohën e paraluftës, hëm në kohën e luftës, hëm në të pasluftës. Është shkruar me shkas: për ta kujtuar çmimin e lirisë së sotme paguar për dhjetëra vjet.

Pjesa më e madhe e librit është e mbushur me luftë, prandaj edhe quhet “Libri i luftës” dhe është shkruar dhe botuar në shenjë nderimi dhe kujtimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë nderimi dhe kujtimi për heronjtë, dëshmorët, martirët, viktimat civile, invalidët, veteranët dhe për udhëheqësit politikë, diplomatikë dhe ushtarakë të UÇK-së.

“Libri i luftës” është libër autobiografik, po është edhe libër biografik. Në të është jetëshkrimi i autorit, i familjes së tij, po është edhe shkrimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për udhëheqësit e saj, për qindra heronj, për qindra dëshmorë, për dhjetëra viktima, për shumë beteja, për shumë ushtarë të mbetur invalidë, për shumë veteranë që s’kanë kursyer asgjë për lirinë që gëzojmë dhe që gëzojnë sot.

Po qe se nuk ju bën shumë përshtypje puna e gazetarëve në ditët e sotme, duhet t’ju bëjë kjo tjetra: gazetaria në kohë lufte, në të gjithë territorin e Kosovës, edhe në një pjesë të Shqipërisë, Maqedonisë, diasporës, e cila, për shkak të rrjedhës së rrëfimit, tregohet si përrallë, veçse kësaj përralle duhet t’i zini besë sepse ka dëshmi dhe ka fotografi. Së këndejmi, po qe se nuk jeni të interesuar të dini për një gazetar dhe një kameraman çfarë kanë bërë në luftë, duhet të interesoheni çfarë kanë bërë komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës dhe për informimin e opinionit publik nëpërmjet atyre pak medieve të informimit që kishte në kohë lufte e për ata pak gazetarë që mezi shkonin në zona të luftës, sepse përtonin, sepse nuk donin ta rrezikonin jetën e vet për ta informuar publikun.

“Libri i luftës” ka dymbëdhjetë kapituj. Shkrimi nis në vendlindjen e autorit, me shkollimin e autorit në shkollën e fshatit, pastaj vazhdon në fshatin tjetër përbri tij, pastaj në qytetin e Prizrenit.

Zë vend në libër, në dhjetëra faqe, edhe punësimi i autorit në Radiotelevizionin e Prishtinës, në gazetën “Rilindja” dhe raportimet e vështira të tij për këto dy media, në rrethana të censurës nga regjimi serb në Kosovë, për ta informuar opinionin vendor dhe atë botëror për të vërtetën shqiptare. Dhe, teksa lexon pjesë të ditarit dhe të kujtimeve të tij në këtë libër, të mbushet mendja të thuash dhe të diskutosh me vetveten dhe me të tjerët pse ka rrezikuar kaq shumë kur paska qenka kaq e rrezikuar jeta e tij.

Nuhiut këtë pyetje ia kam bërë edhe kur po e përgatisnim librin për shtyp. Dhe, ashtu si në një fjali në libër, më është përgjigjur edhe me gojë: “Pse duhet të jetoja unë kur për liri dhe pavarësi, edhe pa u shpallur lufta, vriteshin shqiptarët?! Pse duhet të jetoja pasi ranë Jasharët?! Pse duhet të jetoja pasi u bënë masakra në Abri, në Meje, në Reçak?!”

Nuhiu, pavarësisht prej shumë rreziqeve që pati në jetë, pati fatin të jetojë dhe ta shkruajë dhe ta publikojë këtë libër, i cili i bën nder të madh, para gjithë të tjerëve, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizimin dhe luftën e së cilës e ka përcjellë, me një laps dhe me një diktafon, me një aparat dhe me një kamerë dhe një kameraman, aty ku është zhvilluar luftë e ashpër, aty ku janë vrarë çlirimtarë, sidomos në Drenicë, Llapushë, Podrime, Dukagjin.

Të njëjtën punë, të gazetarisë në kohë lufte, Nuhiu nuk e ka bërë vetëm në Kosovë. E ka bërë edhe tjetërkund. Sapo ka krisur pushka e parë në Maqedoni, edhe pa e ngarkuar me punë udhëheqësit e RTK-së, ia ka mësyrë asaj, ka bërë dhjetëra kronika, dhjetëra intervista, qindra fotografi. Vetëm planifikim të luftës nuk ka bërë.

“Libri i luftës”, edhe pse tash tingëllon klishe, sepse sot e jashtëzakonshmja nuk ka ndonjë masë vlerësuese, për shkak se e kanë zhvlerësuar kush i pari e kush i fundit që flet edhe për ata libra që s’kanë kulturë të librit dhe që s’janë libra, njëmend është libër i jashtëzakonshëm dhe është libër atraktiv. Kur mungojnë fjalët, shpjegimet për ngjarjet i plotësojnë fotografitë. Jo pak fotografi, po 1 000 copë. Mbase 300 prej tyre i keni parë në libra të tjerë e në media fizike dhe elektronike, po 700 të tjera duhet t’i shihni sepse flasin shumë, për shumëçka njerëzore dhe të panjerëzishme. Disa prej tyre kanë dhembje të madhe sepse prezantojnë masakrat e serbëve bërë ndër shqiptarë, edhe të foshnjave në djep, edhe të plakave e të pleqve të paralizuar; disa të tjera prezantojnë gëzime sepse festohet çlirimi i Kosovës.

Nëse dëshironi të dini diçka më shumë për organizimin dhe për detyrat e udhëheqësve të UÇK-së, ato i keni në këtë libër.

Pa dyshim ky libër është shkruar për ta ruajtur dhe freskuar kujtesën kombëtare. Meqë po e promovojmë sot, pak ditë para ngjarjeve të përvjetorit të marsit të flijimit të Jasharëve, është edhe një përmendore kujtese dhe nderimi për jetët dhe shpirtrat e tyre.

Ky libër, prej 800 faqesh, është enciklopedik.

Ka mbi 5 000 persona.

Mbi 30 personazhe.

Mbi 50 beteja.

Mbi 20 fitore.

Mbi 500 heronj, dëshmorë, viktima të cilët i ka parë autori e me disa prej të cilëve, sa kanë qenë gjallë, ka realizuar intervista dhe shkrepur fotografi edhe në llogore.

Mbi 500 fotografi me temë atdhetare, sociale, politike, demokratike.

Mbi 500 fotografi historike që kurrë më parë s’i keni parë e që mezi s’prisni t’i shihni.

Ka dramë.

Ka tragjedi.

Ka komedi.

Ka tragjikomedi.

Janë në këtë libër disa deklarata të Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rrustem Mustafës, Jakup Krasniqit për luftën dhe lirinë, udhëtimet e autorit me ndonjërin prej tyre nëpër Kosovë. Ka edhe përplasje me ndonjërin prej këtyre, ashtu sikurse me ndonjërin ka miqësi të madhe e që është më e dukshme.

I gjeni, po ashtu, mbështetësit e UÇK-së dhe kundërshtarët e saj.

UÇK-në dhe FARK-un, pijet dhe ushqimet e ushtarëve të tyre. Edhe paratë e tepërta dhe mungesën e tyre. Edhe përçarjet mes tyre.

Ky libër që është shkruar për luftën nuk do të botohej pa përkrahjen e Ministri së Kulturës, të ministrit Kujtim Gashidhe të afaristit Lazim Destani, të cilët i falënderoj për mbështetje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar shqiptarët për zgjedhjet…