“Libri i Luftës” u promovua në Bern të Zvicrës

27 prill 2019 | 09:16

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, në Bern është mbajtur promovimi i “Librit të Luftës” të autorit, gazetarit dhe publicistit të njohur shqiptar, Nuhi Bytyçi.

Në fjalën e hapjes së promovimit të librit, zëvendësambasadori i Kosovës në Zvicër, Ministri Këshilltar, Mustafë Xhemaili, vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e autorit të “Librit të Luftës”.

“Autori i librit që po e promovojmë sot, gazetari shumëvjeçar, publicisti i njohur shqiptar, Nuhi Bytyçi, gjatë fundviteve të tetëdhjeta, viteve të nëntëdhjeta, dhe në mënyrë të veçantë gjatë viteve të luftës çlirimtare 1998-1999 dhe pas saj, ka luajtur rolin jo vetëm të gazetarit e të intelektualit, por edhe të protagonistit, rolin e krijuesit të klimës politike për rezistencë kombëtare kundër okupimit serb”, theksoi Mustafë Xhemaili.

Duke vlerësuar rëndësinë e botimit të “Librit të Luftës” zëvendësambasadori Xhemaili, në promovimin e mbajtur në Bern potencoi se “ky është Libri i Luftës për thyerjen e censurës në Televizionin e Prishtinës, Libri i luftës për të vërtetën e Kosovës, i luftës për mposhtjen e frikës dhe dinamizimin e lëvizjes për liri, Libri i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Kosovës së Lirë, Libri për kontributin e diasporës shqiptare në të gjitha proceset e popullit shqiptar para, gjatë e pas luftës, Libri i luftës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, i Luftës për mbrojtjen e UÇK-së në Tribunalin e Hagës, është libri i rrugëtimit për Pavarësi dhe shtetndërtim”.

Nga ana e tij, autori i “Librit të Luftës” gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi, pasi falënderoi bashkatdhetarët tanë në Zvicër për pjesëmarrje në promovimin e librit, u shpreh: “Shumë drejtues të UÇK-së dhe luftëtarë të lirisë, të cilët para luftës kanë vepruar kombëtarisht në Zvicër, Gjermani, Austri, Amerikë, Slloveni, Kroaci e vende tjera të botës i kam takuar në vijat e frontit në Kosovë, në Kosovën lindore dhe në Maqedoni. Të gjitha këto kujtime të mia që lidhen me kontributin e mërgatës shqiptare i kam shprehur në “Librin e Luftës”.

Duke shprehur mirënjohje për kontributin e mërgatës shqiptare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Nuhi Bytyçi theksoi se “mërgata jonë luajti rol të rëndësishëm në organizimin e gjithanshëm të rezistencës së armatosur kundër pushtimit serbo-sllav, iu përgjigj kushtrimit të atdheut për mobilizim për liri e pavarësi.                                                        

Në mbyllje të fjalës së tij, Bytyçi tha:

“Në veprën time publicistike “Librin e luftës”, kam shkruar opinionet e mia edhe për zhvillimet në Kosovën e pasluftës dhe kam shprehur domosdonë e bashkimit energjik të të gjitha forcave politike, sidomos atyre intelektuale dhe mediave, që të demaskojnë dhe luftojnë virusët që po e dëmtojnë shoqërinë shqiptare. Kjo është lufta bashkëkohore që i duhet sot Kosovës – bashkimi për zhvillim dhe 

Në promovimin e “Librit të Luftës” foli edhe veprimtari i çështjes kombëtare, Ibish Neziri, i cili vlerësoi me tone pozitive angazhimin shumëvjeçar të gazetarit dhe publicistit shqiptar Nuhi Bytyçi në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Botimi i këtij libri është një burim i mirë i të dhënave për luftën për mbijetesë të popullit shqiptar të Kosovës nga vitet e ’80-ta e këndej. Është burim i informatave dhe e plotëson mozaikun e kujtimeve të publikuara për ngjarjet e zhvilluara për rreth gjysmë shekulli në hapësirën gjeografike shqiptare të pushtuar nga fqinjët verior”, tha veprimtari i çështjes kombëtare e publicisti, Ibish Neziri.

Lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” dhe veprimtarinë shumëvjeçare gazetareske të Bytyçit, folën edhe Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë, Islam Spahiu, Ministër-Këshilltar në Ambasadën tonë në Bern, ish-luftëtari i UÇK-së e publicisti, Metush Zenuni, veprimtari e publicisti Agim Sylejmani, veprimtarja e njohur humanitare, Behide Hasanaj, Fatmir Beka e të tjerë.

Ata vlerësuan rëndësinë e botimit të këtij libri dhe shprehën domosdonë e përkthimit dhe botimit edhe në gjuhën angleze, gjermane e franceze, në mënyrë që bota të informohet për dramën e popullit shqiptar gjatë decenieve të fundit.

Në prag të ceremonisë së promovimit të “Librit të Luftës” autori Nuhi Bytyçi u prit nga ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca.

Me këtë rast, Nuhi Bytyçi ia dhuroi Ambasadores Breca veprën “Libri i luftës“.

Ambasadorja e falënderoi autorin e librit dhe e përgëzoi për punën e tij profesionale në shërbim të informimit të opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në trojet e tjera etnike shqiptare gjatë periudhës 40 vjeçare, sidomos gjatë periudhës së luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Publicistin Nuhi Bytyçi, ambasadorja e uroi edhe për promovimet që do t’i bëhen “Librit të Luftës“ këto ditë para mërgimtarëve tanë, të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Bernë dhe dy konsullatat e Kosovës në Cyrih dhe në Gjenevë.

“Libri i Luftës” të dielën më 28 prill në orën 14:00 do të promovohet në Würemlos afër Cyrihut (në restoran Centrum), ndërsa të hënën më 28 prill, në orën 18:00, “Libri i Luftës” promovohet në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, Nazane Breca, e…