Libri i Valon Belës, një autopsi e realitetit politik dhe shoqëror
Shkruan: Ardian Ramadani
Një prej profesioneve më të vjetra, njëkohësisht më të përfolura edhe më komplekse, është politika. Ky nocion, që vjen nga greqishtja e vjetër, e që rrjedhë nga fjala polis (qytet), “që ka të bëjë me qytetarët e një shteti”, ishte sajuar ta përcaktonte artin e qeverisjes ose administrimit të së mirës së përbashkët. Në thelb, politika është mënyra, apo do të duhej të ishte mënyra se si një shoqëri organizon bashkëjetesën: si merren vendimet, si shpërndahet pushteti, si rregullohen interesat, sfidat, konfliktet e kështu me radhë.
Ekzistojnë mijëra citate rreth politikës, nisur nga reflektimet klasike filozofike deri te proverbat popullore ose cinike rreth pushtetit.
Për Aristotelin politika ishte arti i qeverisjes për të mirën e përbashkët. Pra, e mira e përbashkët, në kundrimin aristotelian, ishte qëllimi apo shestimi i bërjes politikë apo thjesht, sipas tij, politika ishte procesi përmes të cilit shoqëria vendoste si do të jetonte së bashku. Për dallim nga Aristoteli, Platoni mendonte se “çdo njeri është armik i çdo njeriu tjetër dhe i vetvetes”. Prandaj, për të, roli i politikës ishte të krijonte unitet dhe të siguronte harmoni brenda qytetit, veçan përmes virtytit dhe edukimit. Pra, kundrimi i tij për politikën përmban farën emancipuese, kultivimin e virtytit dhe flakjen e vesit.
Por, në anën tjetër, shfaqeshin edhe vështrime të kundërta. Politika shpesh përshkruhej në mënyrë cinike si arti i premtimit, i krijimit të pakënaqësisë ose fshehjes të së vërtetës. Gjërat shkonin edhe më larg saqë shpesh theksohej se “të qeverisësh do të thoshte të krijoje pakënaqësi”, apo se “sa më shumë ndryshonin gjërat, aq më shumë mbetnin të njëjta”. Ka edhe të atillë që afirmonin se “jo gjithçka ishte politike, por politika ishte e interesuar për gjithçka”.
Shpërfaqeshin edhe mendime përkufizuese mbi politikën, që mëtonin të thoshin se politika ishte arti i marrjes së parave nga të pasurit dhe votave nga të varfrit, nën pretekstin e mbrojtjes së tyre nga njëri-tjetri, apo se politika ishte një mikeshë e mirë derisa dikush ta donte atë më pak se pushtetin.
Pavarësisht prej përkufizimeve të shumta, politika ndërlidhet me artin e ushtrimit të pushtetit, të qeverisjes. Pra, krijohet bindja se politika dhe pushteti, janë mishi e thoi.
Në shtete të zhvilluara si, për shembull, në Francë, politika është, para së gjithash, çështje e Republikës (pra shtetit). Ajo nuk kufizohet vetëm në menaxhimin e përditshëm apo në ndjekjen e pushtetit: ajo është e rrënjosur në një histori të gjatë, të shënuar nga ideja se shteti mishëron interesin e përgjithshëm dhe se qytetarët, të barabartë në të drejta, marrin pjesë në formësimin e fatit kolektiv. Ky kundrim i ka rrënjët në Revolucionin Francez, i cili i dha kuptim dhe jetë vizionit të fuqishëm: lirisë, barazisë, vëllazërisë, sekularizmit dhe sovranitetit popullor. E që atëherë politika është konceptuar si një hapësirë për debat publik intensiv, ku argumentimi, mospajtimi dhe angazhimi kanë vlerë pothuajse qytetare.
Në Gjermani politika shihet kryesisht si çështje përgjegjësie, stabiliteti dhe kompromisi. E shfaqur si më pak teatrale sesa në kulturat e tjera politike evropiane, ajo vlerëson besueshmërinë e institucioneve, bart në vete kulturën e konsensusit dhe respektimin e rregullave. Ky perceptim është i rrënjosur në historinë e shekullit 20 dhe dëshirën pas vitit 1945 për të ndërtuar një shtet, ku pushteti rregullohet në mënyrë strikte nga ligji dhe ndahet midis disa niveleve të vendimmarrjes.
Në përgjithësi, në nivelin evropian politika shihet si art i kompromisit midis kombeve. Ajo nuk zëvendëson politikat kombëtare; përkundrazi, ajo i lidh ato, i koordinon dhe i tejkalon kur interesi i përbashkët e kërkon një gjë të tillë. Evropa politike përqafon shumësinë e gjuhëve, të kulturave dhe historive. Vendimmarrja politike aty kërkon ekuilibër, jo uniformitet.
Në Shtetet e Bashkuara politika shihet kryesisht si shprehje e lirisë individuale të përcaktuar nga kushtetuta. Ajo nuk buron nga shteti, por nga qytetari, të drejtat e të cilit konsiderohen se i paraprijnë pushtetit. Ky vizion është i rrënjosur në trashëgiminë themeluese të Revolucionit Amerikan dhe në supremacinë e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, një dokument i shkurtër, pothuajse i shenjtë, që kufizon rreptësishtë veprimet e atyre që janë në pushtet.
E në kundrimin ballkanik, politika shihet si hapësirë ku ndërthuren historia, identiteti dhe pushteti. Këtu, politika nuk ka të bëjë thjesht me menaxhimin e së tashmes; ka të bëjë me interpretimin e së kaluarës dhe negocimin e besnikërive. E kur ta parashtrojmë pyetjen se sa ka besnikëri? Besoj se e kemi të qartë. Shto këtu edhe pyetjen sa kemi negocim? Mendoj se vetë pyetja, që në thelb është retorike, e përmban përgjigjen e thuktë.
Kur jemi te ky perceptim ballkanik, libri që keni në dorë mëton të nxjerrë në pah dhe të afirmojë, se ajo shihet jo vetëm si mjet për të luftuar për pushtet dhe për të prodhuar histori, por përtej saj, një mjedis i padukshëm që hyn ngadalë në mendjen tonë, e cila si një sëmundje që hyn dalëngadalë në trupin tonë, pa bëzajtur e pa e vërejtur, fillon të na molepsë, të na lodhë trurin e trupin. Kur të bëhemi të vetëdijshëm për të, na bëhet vonë. Kura nuk do të mund të ndihmojë më në fazën përfundimtare.
Për këtë arsye autori përmes shkrimeve sugjeron të parandalohet politika si sëmundje, së këndejmi edhe sëmurja prej politikës.
Në këto tekste të këtij libri, që janë shkruar me pedanteri, autori përpos që shfaq analizë për akëcilin problemin, jep edhe zgjidhjet opsionale, çdoherë sipas kundrimit subjektiv, që vërehet mes të tjerash edhe guximi për t’i thënë gjërat ashtu siç i mendon ai. Fundja, është njerëzore që të thuash atë që e mendon kur sheh se diçka nuk po shkon mbarë. Mes të tjerash, kjo e dallon intelektualin nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Në librin e tij të parë autori Valon Bela definon guximshëm me argumente politikën si sëmundje, apo politikën që vë në mungesë politikën, gjegjësisht institucionet dhe vendet e supozuara të politikës, ku s’ka asgjë politike. Jo politikën si qeverisje e mirë, por qeverisjen e keqe, mungesën e negocimit, tendencën për supremaci dhe dominim të njërës palë ndaj tjetrës. Fundja, kur nuk përdoret politika për arritjen e synimeve më të mira, është e destinuar të shfaqet si sëmundje. Po, po, pikërisht, si sëmundje, e cila, e diagnostifikuar si e tillë, kërkon kurën (shërimin), terapitë e duhura, nëse zbulohet me kohë. Huqja e terapive, apo mungesa e diagnostifikimit të duhur, e shpie atë drejt vdekjes. E me vdekjen e saj shtrohet pyetja me të drejtë, çfarë do t’i ndodhë popullit.
Ndokush mund të thotë se do të lindë një politikë e re, dikush se do të mbetemi pa politikë. Rancierei do ta definonte këtë gjendje si pamjaftueshmëria e politikës për të qenë politikë, duke mos qenë asgjë e qartë dhe e përfunduar, por ç’rëndësi ka, mbase më mirë mos të kemi fare politikë sesa që të kemi politikë pa parime, politikë bandash, politikë dominimi, politikë ku qytetari shërben vetëm si makinë votuese për një përdorim, thjesht politikë që vë në mungesë politikën. Një politikë e tillë e sëmurë, le të vdesë e mos u shtoftë kurrë!
Në 39 analizat në librin e Belës shoshiten tema të qëlluara të cilat lexohen me një frymë.
Ky libër është një autopsi e realitetit politik dhe shoqëror, ku politika s’paraqitet si art i qeverisjes, por si art i maskimit. Përmes temave që lëvizin nga premtimet boshe, manipulimi me sondazhe, blerja e votës dhe kontrabandimi i ndërgjegjeve, deri te kapja e shtetit nga korrupsioni dhe deformimi i drejtësisë, autori ndërton një panoramë të zymtë, por thellësisht reale dhe të përqendruar.
Në qendër nuk është vetëm sistemi, por njeriu që e ushqen atë: politikani i tjetërsuar nga pushteti, lideri që e rrënon partinë nga brenda nga prirjet e tij autoritare e prirjet diktatoriale, akademiku pa shpirt, apo me shpirt të sëmurë, tek i cili njerëzorja ka marrë moti arratinë, studenti pa identitet dhe shoqëria e mpirë që mësohet me këtë normalitet anormal. Arsimi, ekonomia, drejtësia dhe demokracia shfaqen si viktima të një kulture servilizmi, frike dhe mashtrimi të institucionalizuar, shto këtu edhe me konformizmin si dhe me dëshirën apo me tiparin e atij që dëshiron të trajtohet si i tillë.
Ky libër nuk është thjesht kritikë ndaj politikës, por një reflektim i thellë mbi mënyrën se si pushteti deformon njeriun dhe, përmes tij, individin e mbarë shoqërinë. Ky libër lë lexuesin me ndjesinë se problemi nuk është vetëm te politika që vë në mungesë politikën, por te pranimi i saj si e tillë, dhe te pyetja e heshtur në fund: a jemi ne vetëm viktima, apo edhe bashkëfajtorë?
Mishel Fukoja në librat e vet bën ftesë të luftohet skllavi brenda nesh. Kjo do të ishte përgjigja më e mirë ndaj një politike dhe ndaj politikanëve që shërbejnë një politikë të tillë, të papolitikë, që skllavëron individin dhe shoqërinë. E që të luftohet skllavi, duhet mendjendrituri, tok me guximtarin të jenë një, të indinjohen e të mos thonë për çdo gjë “po”. Sepse një subjekt që e thotë vazhdimisht këtë, ai nuk është as person, as subjekt, as individ, por një hiç, që nuk ekziston fare. Mu sikurse politika që vë në mungesë politikën apo si politikë e sëmurë (demopatia), ku falë mosfunksionimit të saj, kërcënohet integriteti i “trupit shoqëror”, duke vepruar si një patogjen.
Ky libër nuk lexohet për qetësi, por për zgjim, indinjatë. Ai të vë përballë politikës pa maskë dhe shoqërisë pa iluzione. Është një ftesë për të parë atë që shpesh zgjedhim të mos e shohim dhe për të reflektuar mbi rolin tonë brenda këtij realiteti.
Andaj, i/e dashur lexues(e), lexoje për të mësuar diçka të re, si dhe për të kuptuar më qartë atë që ndoshta e kemi ditur, por që na është pluhurosur. Lexoje, sepse me të drejtë Viktor Hygoja thoshte: “Leximi është si të pish e të hash. Një mendje që nuk lexon vyshket mu si një trup që nuk ha”.




