Libri “Nektar i urtësisë” i Reshitit promovohet të premten

25 gusht 2021 | 09:50

Ka dalë nga shtypi libri “Nektar i urtësisë” i autorit Ymret Reshiti, i cili do të promovohet më 27.08.2021 në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit me fillim nga ora 10.00. Sipas recensentit të librit, Xhevdet Bajraj, “libra me fjali të urta si ky i Ymret Reshitit botohen rrallë. Nuk e di pse njerëzit përtojnë të shkruajnë thënie që motivojnë, kryesisht, për punë të mira. Këto thënie që janë në këtë libër mësohen nga jeta e përditshme, në radhë të parë nga përballja e së mirës me të keqen. Edhe këto thënie të Reshitit burimin e kanë nga jeta e tij, e rrethit familjar dhe shoqëror dhe nga institucionet lokale dhe qendrore, nga udhëheqësit e tyre. Duke vrojtuar dukuri të ndryshme e duke pasur synim t’ua përkujtojë njerëzve disa ligësi dhe disa parime, them se Reshiti kohë të gjatë ka bërë një punë të vyeshme derisa i shkroi e pastaj i përmblodhi qindra thënie me motive të ndryshme në këtë nektar të urtësisë, i cili tingëllon si një doracak i mirësisë”.

Ndërsa redaktori i librit, Berat Armagedoni, ka thënë se “për t’i shkruar disa prej thënieve që ka bërë bashkë në këtë libër të urtësisë, Reshiti ka ndalur veturën dhe ka shkruar, ka prishur gjumin dhe ka shkruar, ka ndërprerë bukën dhe ka shkruar… Veprim i natyrshëm, sepse këto fjalë një herë vijnë kah dera. Se sa mund ta ndryshojë sjelljen e njerëzve me këtë libër, sa mund t’i motivojë ata që bënin punë të këqija të bëjnë punë mira, mbetet të shohim. Qëllimi i tij ka qenë ky”.

Shënime për autorin

Ymret Reshiti ka lindur më 10. 09. 1971 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Është magjistër i shkencave administrative. Merret me krijimtari letrare, gazetari dhe publicistikë. Ka botuar librin me poezi Hartat postmoderne. Ky është libri i tij i dytë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e EULEX-it i ka shpëtuar jetën një të riu…