Libri për njerëz me botë të pasur shpirtërore dhe jo për robotë patriotikë të destinuar për vuajtje dhe tortura

28 janar 11:40

“Kurdo që të ndodhte ky akt, burgun e kuptoja si një nga format e jetës nën pushtim.”

Gani Sylaj “Burg pas burgu”, Buzuku, Prishtinë, 2019, f. 29

 Shkruan: Ismail Syla-

  1. KALIMTHI NËPËR LIBRIN “iLEGAL VITEVE SHTATËDHJETË”

 

Në vitin 2018 Gani Sylaj botoi librin e parë autorial “iLegal viteve shtatëdhjetë”, me një titull karakteristik, ku shkronja fillestare ishte “i” e vogël pranë fjalës “Legal”, duke synuar qysh në titull ta jep kuptimin e jetës së tij me dy profile, atë të mësuesit, pedagogut dhe veprimtarit që bënte jetë të hapur publike, dhe atë të veprimtarit të organizuar në mënyrë të fshehtë në një organizatë politike kundër sistemit zyrtar jugosllav.

Përdorimi i termit “ilegal” në literaturën, shkrimet dhe letrat e veprimtarëve patriotë politikë shqiptarë që iu kundërvunë sistemit, regjimit dhe pushtimit jugosllav dhe serb të Kosovë nuk duhet kuptuar si diçka e keqe, jo ligjore, në kundërshtim me të ligjshmen, por si shprehje tashmë historike tradicionale e veprimit dhe organizimit të fshehtë kundër Jugosllavisë e Serbisë.

Libri “iLegal viteve shtatëdhjetë” nuk është objekt i shqyrtimit të tërësishëm këtij shkrimi, por është një para hyrje në leximin e librit vazhdues të “iLegal…”, librit me kujtime “Burg pas burgu”, që në fund të vitit 2019 e pa dritën e botimit, gjashtë muaj pas vdekjes së autorit.

Libri “iLegal viteve shtatëdhjetë” dhe “Burg pas burgu” përfshijnë një hark kohor prej 20 vitesh, 1970 – 1990, dhe janë monument shkrimor i klasit të parë për një veprimtari të gjallë dhe aktive, që i bën nder klasës politike të të burgosurve politikë nga njëra anë dhe vetë literaturës shqipe të zhanrit të memoareve.

Në çdo koment, analizë, sintezë dhe vlerësim që bëj për këto dy libra duhet nënvizuar një fakt: nga të gjitha përjashtohet relacioni i vlerësimit në bazë familjare, kur vëllai shkruan për librat e vëllait. Këtu bie poshtë ky relacion. Do të jem njeriu më i lumtur të shoh libra e biblioteka librash nga  ish të burgosurit politikë të Kosovës ku me kulturë të lartë shkrimi shpalosin jetën dhe veprën e tyre.

Ajo që është e përbashkët e dy librave është fakti se teksti arrin shkallë të lartë të strukturimit, shprehje ligjërimore që kënaq kriteret e çdo niveli shkollor dhe akademik, efekte vizuale, zhvillime dramatike, mos shkëputje të fillit rrëfyes dhe integritet teksti, rrëfimi dhe etike njerëzore.

Libri “iLegal viteve shtatëdhjetë”  është enciklopedi individuale e veprimtarit të viteve shtatëdhjetë, në një Kosovë e cila sapo kishte dalë nga një periudhë shumë e errët historike, ajo e sundimit policor nga Jugosllavia rankoviçiane. Dhjetë vjet veprimtari e fshehtë e një brezi të ri, që shpirtërisht, politikisht dhe tradicionalisht i përkiste dhe i përket edhe më thellë edhe më shumë vijës politike gjermane, asaj të orientuar nga Tirana, nga Shqipëria, nga graviteti i dashurisë së Atdheut, Shqipërisë.

Autori Gani Sylaj si asnjë veprimtar dhe autor librash të natyrës së tillë arrin të shpërfaq realizëm (disa po e quajnë gabimisht dhe mjaft kufizueshëm cilësinë e rrëfimit realist me epitetin “rrëfim i sinqertë”) të jashtëzakonshëm në përshkrimin, tregimin, përvijimin, detajimin dhe tipologjizimin e periudhës për të cilën shkruan.

Në librin “iLegal..” Ganiu me një saktësi miligramëshe  shpërndan meritat dhe kontributin e të gjithë atyre personazheve që kontribuuan në ruajtjen e frymës atdhetare, dashurinë ndaj kombit, atyre që ëndërruan lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Aq sa flet për njerëz të organizuar me vetëdije kundër Jugosllavisë pushtuese, po aq flet me realizëm dhe simpati edhe për njerëz të paorganizuar, por po aq patriotë, si p.sh. shërbëtori, pastruesi i shkollës, që kur bën gëlqerosjen e mureve të shkollës zhvendos një foto të një figure jugosllave dhe në vend të saj vendos një kornizë me foton e ndonjë rilindësi kombëtar shqiptar. Aq sa shkruan  për njerëz të vetëdijes së lartë sakrifikuese, po aq shkruan edhe për nxënës që me vrap e dihatje shkojnë në shtëpi duke bërë sa e sa kilometra për të marrë paratë e biletës vetëm për të mos lëshuar rastin ta shohin një film artistik të prodhimit të Kinostudios Shqipëria e Re, bie fjala në kinemanë e ish Gllogofcit, tash Drenas. Janë aty personazhe njerëzish me brumë atdhetar që festojnë me modesti materiale por me dashuri të thellë shpirtërore 28 nëntorin e ndaluar nën Jugosllavi, njerëz që frymëzohen nga zëri i Radio Tiranës dhe bëjnë udhë për orë të tëra për ta takuar një bashkëmendimtar që kokën e ka të kthyer nga Shqipëria.

Në librin e parë të kujtimeve “iLegal…” del figura e personazhit autor, që kur ta përfundosh librin ke vetëm një përfytyrim: Ky njeri ekzistuaka vetëm për një qëllim: si ta demaskojë Jugosllavinë në çdo çast të jetës së tij, si t’ia çjerrë maskën vëllazërim bashkimit jugosllav, si ta ndërgjegjësojë një fëmijë, një të ri, një burrë, një amvise a këdo tjetër për dashurinë që duhet ta ketë  ndaj Atdheut, ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës, ndaj kulturës, muzikës, artit, letërsisë dhe gjithë botës ekzistenciale shqiptare. Një rol të tillë ai e luan në familje, në rrugën për në shkollë me një libër në dorë, me një përrallë të treguar nxënësit fillorist, në kolektiv të shkollës, në shërbim ushtarak jugosllav, në viset shqiptare jashtë Kosovës, në Paris, duke biseduar me një profesor francez me një gjuhë të cunguar franceze e të plotësuar me skica. Kudo, kudo, kudo.

Derisa autonomia e Kosovës e viteve shtatëdhjetë kishte krijuar iluzionin e liberalizmit dhe pinjojve të Titos u këndonte çdo qelizë në trup, me shpirt e kokë të drejtuar nga Beogradi, tek libri i Ganiut, edhe në ato vite del profili i atdhetarit shqiptar të Kosovës që orientimin nga qenia kombëtare shqiptare e kish të vetmen ADN në çdo qelizë të trupit.

 2 NËPËR PERLAT ESTETIKE TË LIBRIT “BURG PAS BURGU”

Pas një koleksion përshtypjesh sporadike nga libri “iLegal…” ia vlen të kalohet nëpër pikat më të larta dhe në disa nyje domethënëse të librit “Burg pas burgu”, sipas një leximi kronologjik, nga kapitulli në kapitull.

Krevatet dhe thasët me zall

Se autori ka aftësi kreative për të tërhequr paralele domethënëse dhe krahasime të qëlluara dëshmon vrojtimi i tij për burgosjet e shumë shqiptarëve të fund vitit 1979, disa javë pas vizitës së Titos në Kosovë. Është fjala për vendosjen e krevateve në zyrat e UDB-së. Inspektorët kishin punë intensive gjatë netëve kur hetonin dhe torturonin djem dhe burra atdhedashës. Pra, Jugosllavisë po i shtoheshin “armiqtë”, në fakt kundërshtarët e pakorrigjueshëm, shqiptarët me të ndërgjegjësuar. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, pasi Kosova kish kaluar nëpër demonstrata të fuqishme, 1981, në shtetrrethim, orë policore, 1989, alternativë paqësore etj., në vitin 1997 në udhëkryqe dhe pika të caktuara në rrugë u shfaqën thasët me zall në postblloqe. Shenjë se Jugosllavisë, gjegjësisht Serbisë i kish humbur siguria, ajo po frikësohej (f.160)

Tortura. Qëllimi

 Në librin “Burg pas burgu” tortura është forma më antinjerëzore dhe më brutale që u ushtrua mbi të burgosurit politikë. Me një saktësi të jashtëzakonshme Ganiu paraqet të gjitha fazat e saj, pasi që dështon lapsi përballë shkopit. “Lapsi në krahasim me shkopin ishte dhjetëra herë më i vogël, por përdorimi i tij në ato rrethana sillte mi­jëra herë më shumë dëme.” (54)

Netët e kaluara nën torturë janë fat jetësor i shumicës së të burgosurve që kaluan nëpër burgjet jugosllave. Ganiu thekson qëllimin e torturës që e ushtronin veglat e sistemit, kryekëput dhe mjerisht me përkatësi shqiptare. Kështu, të burgosurit “…nëse nuk pendoheshin e nuk bëheshin bashkëpunëtorë të tij, i torturonin pamëshirshëm që t’i thyenin moralisht e t’i dobësonin shpirtërisht, t’u dëm­to­nin aq shumë trupin, saqë nga njerëz të shëndetshëm t’i bënin të vuanin gjithë jetën nga pasojat e torturave”(49).

Autori ka bërë një tipologji:

Para-tortura:

“Ishin britmat e një të burgosuri që torturohej në zyrat e Sigurimit. I dëgjova edhe shar­jet edhe goditjet. Ato britma ishin më torturuese se ato që do t’i përjetoja edhe vetë.”(36), ose: “Britmat që vinin nga zyra matanë nuk linin mundësi të bisedohej derisa ato u zvogëluan si fitili kur mbetet pa gaz. U kuptua se, i burgosuri ma­tanë ishte alivanosur.(36)

Po ashtu autori evidenton këtë të vërtetë të dhimbshme. “Këta të burgosur ishin torturuar aq shumë sa për të mos i shqe­tësuar familjarët, shpesh i grisnin rrobat copë-copë, i hidhnin në WC ose në shportën e bërllokut të dhomës. (241)

Tortura në trupin e tij:

“Ai më godiste jo vetëm në pëllëmbë, por edhe mbi llërat e dorës. Sapo ai u ndal, menjëherë filluan dy të tjerët duke më goditur me grushte e shuplaka. Në mesin e tyre isha si kokrra e misrit në mes të gurëve të mullirit. Edhe sjellja e tyre ishte një lloj mulliri që unë e cilësoja si “mulliri jugosllav”. Në këtë “mulli” bëhe­shin “bluarje” të tilla që më shumë se formën e trupit, kishin qëllim të ndryshonin bindjet e të mbysnin idea­let, por nëse nuk do të arrinin të të thyenin moralisht, atëherë shkaktonin dëmtime fizike.” (44). “Kur u drejtova, nuk ndjeva këmbët e mia; më ishin ënjtur aq sa m’u duk sikur lëkura më ishte tëholluar e tepihu i nxehtë nën to të ishte prush dhe me thera.” (45)

Teori torture

“Duke më torturuar dhe duke më mbajtur pa gjumë, më dukej që koha kishte ndryshuar rrjedhën dhe hapësira ishte tkurrur aq sa nuk e dija a ishte ditë apo ishte një natë e pambarim.” (40), “Në hetime përdornin disa metoda: herë pyesnin, herë rrihnin, herë rrihnin duke pyetur, por kishte një përjashtim, pasi më rrahnin, të nesërmen nuk më merr­nin në pyetje.” (47)

Qëndresa, rreth dhe spiralja

Autori tregon kuptimin e gjerë të qëndresë përballë torturës, rëndësinë filozofike të saj. Pikërisht qëndresa e të organizuarve që kishin rënë burgjeve më parë kishte bërë që pjesa e mbetur ta vijojë punën, ta zgjerojë përbërësin njerëzor, ta rris organizatën. Nëse do të binin në burfgje të gjithë, binte stadi rrethor i organizimit ilegal. Por, në rast se nuk zbuloheshin celulat treshe etj., veprimtaria dhe organizata merrnin rrugën e zhvillimit në trajtë spiraleje. Një pjesë dëmtohej, por jo tërësia. “Kallëzimi i sho­këve ishte barazi me ndërprerjen e rru­gës së trasuar drejt lirisë. E dija saktë se moskallëzimi i shokëve në hetuesi gjatë viteve 1974 e 1975, dhe vazh­dimi i veprimtarisë nga ne që ishim jashtë u arrit një hop cilësor, kur nga zhvi­llimi i mëhershëm i organiza­tave në formë rrethore arri­tëm që organizata jonë të kishte vazhdimësi dhe të zhvillohej në formë të spi­ra­les.”(52)

Gjyqi

Fjala e autorit të librit në Gjykatën e Qarkut të Shkupit ka qenë antologjike. Unë, si anëtar i familjes, kam qenë pjesë e publikut të ngushtë dhe dëshmitar i një fjalim madhështor. Sot, po të shikohet gjuha, diskursi dhe parashtrimi i atyre qëndrimeve mund të duket retorikë përgjithësuese, por jo. Ai fjalim ishte shuplakë e rëndë për një grup gjyqtarësh  që ishte në gjendje të mirë me vetveten dhe sistemin e tyre. Ishte rast i rrallë që në bazë të nenit 133 të propagandës “kundër” shtetit jugosllav të shqiptohej dënim prej gjashtë viteve. Autori imponoi që aty të flitet gjuha shqipe. Edhe në përshkrimin elementar, autori tregon se çfarë “solemnitetit” të kultivuar kishte ditën që shkonte në gjykatë. Ishte një festë në “fatkeqësi” të qëllimshme. “Sapo u zgjova, me ujë të çezmës lava fytyrën dhe u vesha me rrobat më të mira që kisha me vete.” (82), që nuk ka si të mos t’i kujtojë trembëdhjetë “bilbilenjtë” e folklorit tonë që shkonin krenarë dhe pa frikë drejt litarit.

Pas një kohe, pra në libër kujtimesh, autori përcjell përshtypjen e brendshme, individuale pas marrjes së dënimit: “Më erdhi një fuqi e jashtëzakonshme nga një zonë e panjohur e qenies sime. Kisha përshtypjen se unë i dënova ata e jo ata mua. E kuptova se, si i dyti në aktakuzë, më dënuan më shumë vite për shkak të fjalës para gjyqit. Por me atë fjalë, unë i kisha vënë ata de fakto në bankën e të akuzuarit dhe u kisha shqiptuar një dënim tepër të rëndë përpara se ata të hakmerreshin për demaskimin që u kisha bërë gjatë atyre ditëve të gjykimit. Dënimi i tyre ndaj meje kufizohej në disa vite, kurse dënimi im ndaj tyre ishte përfundimtar, i për­jetshëm, që i shndërronte ata në hije të historisë.” (98)

BURGU

Një ndër vlerat e librit është realizimi shkrimor i burgut si objekt, përshkrimi i burgjeve si ndërtesa, ngushtësia e tyre, dimensionet etj, janë bërë me saktësinë e një arkitekti. Përshkrimi i repartit të ngjyrosjes së metaleve, emalimit, në Idrizovë është i gjallë, si sekuenca filmi artistik ose dokumentar (Kujto Mulliri te “Shenja e përkatësisë”, ku ka një përshkrim etnografik të mullirit). “Nga spërkatja e vazhdueshme, kamarja ishte e shtresë­zuar me lloj-lloj ngjyrash, saqë diku-diku trashësia e tyre kishte arritur mbi dhjetë centimetra dhe i ngjante aku­llit në ujëvarë. (139)

Zilja e burgut. Cingërima e ziles në burgun e Prishtinës ishte një tingëllim ogurzi. Sa herë binte ajo, dikush nisej për hetime dhe torturë. “Kjo nuk ishte si ato zilet e telefonit që me padurim e presin të dashuruarit për të marrë lajmin për orën e takimit, as ata që komunikojnë për nevojat e përditshme, as sinjal për një thirrje nga ndonjë i afërm nga mërgata.” (35)

Po ashtu, edhe zhurma e burgut është një lloj torture psikologjike që ushtron trysni  mbi trurin dhe veshët e të burgosurit: “Siç ishte e padurueshme muzika që vinte nga lagjja Shutka, ku gjendej Burgu Hetues i Shkupit, po aq ishte monotone zhurma e altoparlantit në dhomë, në Burgun e Idrizovës. Në atë “atmosferë” muzike, nga bisedat që bënin të burgosurit mes vete, nga hyrje-daljet e tyre në dhomë “për vizita”, nën “melodinë” e gërhitjes së ndo­njërit të lodhur nga puna e kaloja gjithë kohën e lirë të pasdites. Në fillim kisha vështirësi të përqendrohesha në lexim, por me kalimin e kohës “u mësova” me këtë ritëm dhe veshët sikur nuk regjistronin asgjë.” (137)

Dera e burgut të Shkupit. Ndërkaq, trashësia e derës së burgut hetues në Shkup i krijon një krahasim interesant retrospektiv (anakronik) që vjen pas faktit që autori ka jetuar pak vite në Zvicër, pas burgut. “Dera e hekurit ishte e trashë mbi dhjetë centimetra, që ngjante me dyert për mbrojtje atomike në bodrumet e ndërtesave zvicerane.” (67)

Administrata e burgut, karantina. Në botën e burgut, ku izolimi është maksimal, duhet botë e pasur shpirtërore, forcë e madhe e karakterit që të mos harxhohen rezervat morale. Shumica e të burgosurve kohën e kalojë në lojën e shahut, në kotësi ose gjumë (83), në hapësirën e burgut hetues. Të burgosurit shqiptarë armë mbrojtëse të higjienës mentale e kishin librin.

Ndërkaq, për një të burgosur i cili është konsistent dhe me integritet të pathyeshëm ballafaqimi i përditshëm e policët, gardianët dhe të burgosurit problematikë ishte sfidë e pareshtur. Duhej kujdes maksimal 24 orë. Madje edhe në të ashtuquajturat burgje të tipit shtëpi ndëshkimore vijon survejimi permanent “Në zyrat e administratës ishin psi­kologët e karantinës dhe pedagogët e burgut, të cilët ishin edhe kuadro të Sigurimi Shtetëror jugosllav, që i verifikonin edhe një herë të burgosurit, sidomos ata poli­tikë.” (104)

Spiunët brenda burgut. Për dukurinë e pranisë së njerëzve të UDB-së brenda burgjeve në librin “Burg pas burg” personazhi më reprezentativ është Adem Vukela:  “Ademi, njësoj si nga droga ishte i varur edhe nga kafeja. Kur e vizitonte “avokati”, ai kthehej i gëzuar dhe nga gjiri nxirrte një qese kafe dhe thoshte se atë “ia kishte sjellë avokati!?” Sa më të shpeshta që bë­he­shin këto “vizita të avokatit” për mua përherë e më shumë ai bëhej më i dyshimtë dhe krijova përshty­p­jen se inspektorët e Sigurimit Shtetëror ia sillnin kafenë kur merrnin informata nga ai. Duke e kuptuar se ishte njëri nga informatorët nuk e prisha terezinë e as qën­drimin ndaj tij.” (74)

Po ashtu me një saktësi tipologjike autori shkruan për të gjitha dukuritë që jetën e burgut e bëjnë të vështirë: kapela në Idrizovë, muzika me zë të lartë në Shutorizare, “hedhja e dorezës”, grishja për dyluftim, shkelj­a e këmbës, “zvarritja për nisje”, “kthimi i disiplinës”  etj. (129)

Udhëtim nga burgu në burg. Rruga nga Mitrovica në Prishtinë dhe nga aty në Novi Sad e prej aty në Sombor është një kalvar i vërtetë. Pos hekurave, vapës 34 gradë celsius kalvarin e rrit edhe ngërdheshja e gardianëve shqiptarë, që pa mëshirë vozisin dhe nuk ndalojnë edhe atëherë kur të burgosurve politikë shqiptarë zorrët duan t’u dalin përjashta.

Humanizmi

Janë disa raste gjatë jetës në burg ku autori shpalos dimensionin human të personalitetit të tij. Në burgun e Idrizovës e heq fanellën nga trupi dhe ia jep një të burgosur serb, që po dridhej nga të ftohtit (146), ose rasti tjetër kur gjatë grevës së urisë për realizimin e të drejtave që të mos përkuleshin para gardianëve dhe të shëtisnin me duar prapa, autori qëndron shtrirë në krevat për të mos e penguar një të burgosur malazez të moshuar me shëtitje të ujkut në kafaz. Kjo sjellje bën që malazezi t’i konsiderojë të burgosurit shqiptar si “bij”. ( 269). Autori me sjelljen e tij bëhet lehtësues për të burgosurit e veprave tjera penale, si rasti i Jovës, i cili dëshpërohet kur rikthehet në burgun e Somborit dhe nuk e gjen Ganiun aty, dhe e shan me spirituozitet shtetin që e kishte liruar Ganiun. (269) Shembuj humanizmi ka edhe më, si ai i Xhenos me çekiçin, mos dhënia e briskut të rrojës për t’u vetëlënduar një i burgosur “trimosh” etj.

Portretet

Në librin “Burg pas burgu” janë një galeri portretesh të të burgosurve shqiptarë. Ganiu i bën jo vetëm me dashuri dhe “sinqeritet” (çfarë shprehje e shpifur) por mbi të gjitha me saktësi prej piktori dhe psikologu. Bujaria e Ramadan Hazirit, qëndresa e Sabit Gashit, i cili i reziston qelisë së Somborit, në të cilën shumë bëjnë vetëvrasje, dhëmbi i thyer në tortura e studentit Qamil Qadraku (viti 1982)  qëndresa e Kadri Reaxhaj, Pajazit Jasharit etj. janë shembuj të mirë se çafrë kualitete të larta morale kishte djalëria kosovare. Pas promovimit të librit “Burg pas burgu”, 14 janar 2020, vajza e Qamilit, Qëndresa i publikoi në Facebook faqet e librit ku flitet për Qamilin. Me krenari. Për qëndresën e babait. Portretet e të burgosurve shqiptarë në Maqedoni po ashtu janë një galeri e pasur personazhesh që përfundimisht ishin radhitur nga ana e vështirë të jetës – kundërshtimi i robërisë.

Palimpsesti dhe shamia e xhepit

Teksti lidhur qëndrimin njëmujor në qelinë Idrizovës është pjesa më e mirë stilistike dhe eseistike e librit. Ai është palimpsesti më i bukur i letërsisë shqipe, ku me plot kreativitet midis katër muresh shpalos një botë të kultivuar të njeriut që është përcaktuar për vlerën supreme të qenies njerëzore, LIRINË.(149-151)

Po ashtu, edhe shamia e xhepit është ndër pjesët më të bukura artistike dhe njerëzore: “Që kur u njohëm me Hasi­men, njëri-tjetrit i dhuruam nga një shenjë: Unë si kuj­tim i pata dhuruar një zemër të vogël prej ari, të cilën ajo e mbante të varur në qafë, ndërsa ajo më dha atë shami të bardhë, në një skaj të së cilës, nga dora e saj ishte qëndisur një lule e kuqe, që kur palosej dy fish, lulja mbetej për t’u dukur në mesin e palës së fundit. Kishte shtatë vjet që atë shami e mbaja me vete kudo që shkoja. Ajo shami më plotësonte diçka. (183)

Në këtë libër është dhënë edhe raporti i ngrohtë me anëtarët e familjes, përkrahja nga nëna, udhëtimet në vizita të babait, kujdesi i motrës, Nixhares, për triko dhe ëmbëlsira, ashtu edhe çasti i bastisjes, kontrollimi në pelena në djep dhe rrobat në një kusi në banjë.(11), e edhe fotografimi me aparatin e syve të mendjes i vajzës së tij: “Shikova Shqipen, që ta mbaja në kujtesë fytyrën e saj.” (13)

Kujdesi dhe vendosmëria

Libri ka dhjetëra e dhjetëra motive mbresëlënëse për dukuri të ndryshme jetësore. Një kapitull i veçantë është fryma e prozës së mirë, që unë në margjina të tekstit e kam dalluar me shenjën ART, d.m.th. paragrafë me frymë të prozës artistike.

Por në fund, duhet të kthehem te dy nyjat themelore të jetës së autorit. Kujdesi dhe vendosmëria. Butësia dhe vendosmëria. Kultivimi dhe revolucionariteti. Edukatori dhe kryengritësi. Ilegali dhe emancipatori.

Një thënie popullore thotë se një dorë njerëzish janë ujk për të vetin e qengj për të huajin. Ganiu e përmbys këtë shprehje frazeologjike. Ai në asnjë rrethanë jetësore nuk u tregua ujk për botën e mirë shqiptare. Tek çdo njeri e gjente të mirën. Ganiu ishte ujk vetëm për armikun e vërtetë. Për veglat e pushtuesit serb. Për sistemin e huaj robërues. Këtë më së miri e tregon njësia “Dialog me një hetues” (215–218) ku hapur shpreh vendosmërinë, identitetin dhe pathyeshmërinë: “Kur më rikthyen në hetuesi në vitin 1982, vrisja men­djen për qëndrimin që do të mbaja gjatë hetimeve. Në hetuesinë e parë, në vitin 1979, në fillim të heti­meve paraqitesha se “më kishin marrë gabim” dhe “të pafajshëm”. Po ashtu, në hetuesi nuk i shfaqja men­di­met e plota kundër pushtuesve. Në vitin 1982, tashmë kur ishin zbuluar shumica e shokëve të Organizatës, nuk kisha më arsye të fshihja mendimet për luftën tonë të drejtë për realizimin e të drejtës për vetëvendosje, për të qenë të lirë e të pavarur, prandaj në hetuesi nuk hezi­tova, qoftë edhe nën torturë, t’u thosha qartë men­di­min tim për luftën tonë të drejtë e të pa kompromis kundër Jugosllavisë pushtuese dhe bashkëpunëtorëve të saj. (212)

Në libër ka edhe shumë e shumë tema, dukuri dhe aspekte tjera që meritojnë shkrime plotësuese.

Prishtinë, 27 janar 2020

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë me dije se…