Lidershipi i mençur i Republikës së Kosovës që i duhet kombit shqiptar!

02 qershor 2021 | 15:29

Letër drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla në lidhje me vendimin për të pushuar menjëherë një numër ambasadorësh, në veçanti ambasadorin në Australi

Shkruan: Dr. Përparim Xhaferi

Dr. Perparim Xhaferi

Do të ishte e vështirë dhe jo e këndshme për një qytetar të Republikës së Shqipërisë të ndërhyjë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Megjithatë, dëshira e mirë për të kontribuar sado pak për atdheun e përbashkët më shtyu të shkruaj disa sugjerime me shpresën se presidentja e Kosovës, kryeministri dhe ministrja e Jashtme do t’i presin kritikat me sportivitet. Unë e di që dy muaj nuk janë të mjaftueshëm për të bërë mrekulli, por gjaknxehtësia dhe ngutja e lidershipit të ri në Kosovë nuk mund të arsyetojnë veprimet e pamatura që kanë filluar të duken qartë. Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për mençuri, zgjuarsi dhe bashkim, në qoftë se duam që të jemi të fortë në këtë shekull që po punon për shqiptarët.
Në të vërtetë një nga këto veprime të nxituara është i lidhur me faktin që unë punoj dhe jetoj në Australi dhe kjo më shtyn më shumë të shpreh mendimet e mia për udhëheqjen e re të Kosovës.

Nuk e fsheh që kam qenë simpatizant i ndryshimeve që do të duheshin të vinin në Kosovë dhe Shqipëri sa i përket korrupsionit. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje (LV) me ka zhgënjyer me revanshin dhe gabimet që ka filluar të bëjë. Një nga këto gabime të Qeverisë së Kosovës është dekreti për të pezulluar menjëherë 12 ambasadorë. Tashmë dihet që të përgatitesh 12 ambasadorë në një kohë të shkurtër nuk është aq e lehtë. Është akoma më shumë e vështirë këtu në Australi për vetë specifikat që ka kontinenti i largët. Largimi i parakohshëm i Dr. Hajdin Abazit, që unë e kam njohur personalisht në promovimin e një libri timin më ka bërë shumë përshtypje. Dr. Abazi e ka përfaqësuar me dinjitet nga ana akademike çështjen shqiptare në atë konferencë dhe sintonia me ambasadorin tjetër shqiptar, Dr. Edmond Trako bëri atë që shumë kolegë të mi akademikë të kenë konsiderata të thella për numrin 1 të diplomacisë kosovare në Australi. Përgatitja e një diplomati karriere kërkon punë dhe kohë, por ajo që është më e rëndësishmja, përshtatja dhe njohja e realitetit australian kërkon dedikim dhe sakrifica të mëdha.

Unë i kam vizituar të dyja ambasadat tona në Kambera dhe mund t’ju them se ajo serbe gjendet jo shumë larg për të vëzhguar atë që po “gatuhet” në godinën e ambasadave shqiptare. Ata kanë dhënë prova të tilla me provokimin e skandalit diplomatik që për pak e mbylli përfundimisht ambasadën shqiptare. Çdo vendim i nxituar apo i gabuar në lidhje me Ambasadën e Republikës së Kosovës ka një efekt domino për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët këtu. Nuk mund të pushohej ambasadori i Kosovës pa pasur gati një tjetër ambasador që ta zëvendësojë.
Ajo që më shqetëson më shumë nuk është se me largimin e Dr. Abazit po ju japim një arsye tjetër komunitetit serb në Australi të festojnë (ata e kanë kundërshtuar qysh në fillim kandidaturën e komandant “Lumit” që vendosi lidhje me qeverinë amerikane), por fakti që Australia është specifike dhe ky vendim nuk ka marrë parasysh nevojat e komunitetit shqiptar këtu. Po ashtu zona e Oqeanisë është shumë e rëndësishme për njohjet e reja, për të mos thënë se Australia është një partner strategjik shumë i fuqishëm. Fatkeqësisht marrëdhëniet ekonomike lënë për të dëshiruar për shkak të largësisë, por potenciali i diasporës shqiptare në Australi është me të vërtetë i madh.

Shpresa ime dhe e shumë shqiptarëve të Australisë është që udhëheqja e Kosovës do të ketë kurajën ta trajtojë rastin e Australisë si të veçantë dhe ambasadori Abazi të lejohet të përfundoje mandatin e tij.
Ju lutem mos e dëmtoni punën e mire të nisur nga ambasadori Abazi!
Ju lutem mos e dëmtoni imazhin e Kosovës dhe shqiptarëve në Australi!
Ju lutem për të mirën e kombit tonë kthejeni vendimin për ambasadorin e Republikës së Kosovës në Australi dhe lejoheni të përfundojë mandatin!

(Autori aktualisht është Team Leader International Compliance, Internal Audit, Compliance, Risk & Regulation, RMIT University, Australi) / diasporashqiptare.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditë më parë televizioni “Top Channel”, zbuloi se janë hapur…