Lidhja e Bizneseve paralajmëron krizë të thellë nga liberalizimi i parakohshëm i tregut të energjisë

10 qershor 2025 | 16:51

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar duke shprehur shqetësimin e saj të thellë dhe alarmues për pasojat siç vlerësojnë katastrofale që po shkakton liberalizimi i parakohshëm i tregut të energjisë elektrike.

Sipas LBK-së, ky proces, i cili po zbatohet në kushte jo të përshtatshme dhe pa përgatitjen e duhur të tregut, po dëmton rëndë bizneset në Kosovë, duke rrezikuar falimentimin e tyre dhe humbjen masive të vendeve të punës.

“Ky është vetëm fillimi i një vale të madhe humbjesh që rrezikon të përhapet në gjithë sektorin privat, duke minuar eksportet ‘Made in Kosova’ dhe duke dëmtuar rëndë praninë e produkteve tona në tregjet evropiane. Ky skenar alarmant do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e eksportit dhe në zvogëlimin e interesit të investitorëve të huaj, të cilët tashmë janë duke parë me shqetësim klimën e pasigurt dhe kostot e larta të energjisë në Kosovë. Lidhja e Bizneseve i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që të ndërpresë menjëherë procesin e liberalizimit derisa të përmbushen kushtet thelbësore për një treg funksional dhe konkurrues. Çdo vonesë tjetër në marrjen e masave do të rëndojë edhe më tej krizën ekonomike, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e sektorit privat dhe të gjithë ekonomisë kombëtare”.

“Liberalizimi i tregut është një domosdoshmëri për integrimin energjetik rajonal dhe evropian, por ai duhet të menaxhohet me përgjegjësi maksimale, në mënyrë graduale, të planifikuar dhe të koordinuar me sektorin privat, për të shmangur goditjet shkatërruese sociale dhe ekonomike. Kërkojmë që ky vendim të shtyhet të implementuari së paku për 1 vit, që të bëhen përgatitjet e secilit institucion, që kur fillon të implementimet mos të ketë pasoja”, është thënë në reagimin e LBK-së.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka theksuar se qëndron në krah të biznesit dhe punëtorëve të vendit, duke shtuar se do vazhdojë të kërkojë zgjidhje reale dhe të përgjegjshme për të mbrojtur ekonominë dhe të ardhmen e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga ambasadorja e…