Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon implementim të Ligjit për mbështetjen e punëve publike

31 tetor 2023 | 13:22

Shoqata e ndërtimtarëve dhe kompanive të ndërtimit, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, kërkon zbatimin e Ligjit Nr. 08L-183 për mbështetjen e punëve publike, që ka të bëjë me mbështetjen financiare të premtuar nga Qeveria në vlerën prej 20 për qind nga kontratat publike.

Sipas tyre, kjo qasje i ka dëmtuar tej mase kompanitë e ndërtimit, teksa thonë se kompanitë kanë ekzekutuar të gjitha obligimet sipas kontratave.

Përmes një komunikate për media, LBK-ja konsideron se mbështetja financiare e premtuar prej 20 për qind nga kontratat publike ende nuk është rimbursuar siç parashikon ligji”.

“Kjo situatë ka vendosur një barrë të konsiderueshme për bizneset, duke ndikuar në stabilitetin financiar dhe aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë efektive. Ne i nxisim fuqimisht autoritetet përgjegjëse që të japin përparësi dhe të përshpejtojnë rimbursimin e mbështetjes prej 20 për qind siç mandatohet me Ligjin Nr. 08L-183. Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje pushtetit qendror dhe atij lokal që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për adresimin e kësaj çështje dhe përmbushjen e obligimeve të tyre sipas ligjit. Zbatimi i ligjit jo vetëm që do të sigurojë lehtësim shumë të nevojshëm financiar për kompanitë, por gjithashtu do të forcojë besimin dhe bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat”, thuhet në komunikatë.

“Ne besojmë se respektimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i marrëveshjeve kontraktuale është thelbësor për rritjen dhe prosperitetin e vazhdueshëm të komunitetit të biznesit në Kosovë. Shpresojmë që qeveria të veprojë me shpejtësi për të korrigjuar këtë situatë dhe për të siguruar që bizneset të marrin mbështetjen që u është premtuar”, përfundon komunikata e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mëngjesin…