
Liga e Kampionëve rikthehet me superpërballjen Barça – PSG
Gati katër vjet pas “La Remontadas”, Barcelona dhe Paris Saint-Germain do të përballen sonte (e martë) në ndeshjen e parë të raundit të 16-ave në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka thënë se pret dy ndeshje interesante kundër skuadrës franceze, PSG.
“E kemi pritur me shumë entuziazëm shortin. Pres dy ndeshje interesante dhe të bukura. Do të jetë një përballje e fortë, pasi dihet që PSG ka një ekip të fortë, por edhe ne jemi rritur shumë në muajt e fundit. Nuk e di se si do të luajnë ata, mbetet për t’u parë në fushë. Ata janë një ekip që pëlqejnë të dominojnë në lojë, po ashtu edhe ne. Francezët do të kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv, pasi luajnë në transfertë, por neve do të na pëlqente të merrnim një rezultat sa më të mirë”, ka thënë Koeman.
Të dyja këto klube do ta synojnë kalimin në çerekfinale, prandaj përballja në “Camp Nou” do të jetë mjaft interesante. Barça në fundjavë e mposhti Alaveshin me rezultat bindës (5-1), kurse fitores i është gëzuar edhe PSG-ja ndaj Nicës (2-1).
Mungesat e Barcelonës për këtë ndeshje janë Ansu Fati, Gerard Pique, Philippe Coutinho dhe Sergi Roberto, derisa PSG-ja është pa Neymarin, Di Marian, Dagban, Pembelen dhe Bernatin.
Trajneri i Paris Saint Germainit, Maurizio Pochettino, ka thënë se fokusi i PSG-së duhet të jetë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në Barcelonë.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Unë mendoj se jemi kthyer nga një situatë e vështirë, me 10 ndeshje të luajtura në më pak se 40 ditë. Është e vështirë me të gjitha problemet që lidhen me Covid-19 dhe këtë periudhë mjaft të veçantë. Tani duhet të fokusohemi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në Barcelonë. Do të jetë e vështirë sepse do të luajmë edhe një herë një ekip shumë të mirë”, ka thënë Pochettino.
Të martën nga ora 21:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Rasen Ballsport Leipzig dhe Liverpoolit.
Të martën takohen:
Barcelona – Paris Saint-Germain
RasenBallsport Leipzig – Liverpool