Liga Unike, me ndeshje derbi

09 mars 2022 | 10:54

Ndeshjet e Ligës Unike në të dyja konkurrencat do të zhvillohen në mesjavë.

Te meshkujt janë disa ndeshje interesante, derisa dy prej tyre zhvillohen sot (e mërkurë) dhe dy nesër (e enjte). Në konkurrencën e femrave sot zhvillohet derbi mes Penzës dhe Flamurtarit.

Liga Unike rikthehet në këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së 12-të. Edhe në këtë xhiro nuk do të mungojnë përballjet derbi, derisa dy ndeshje zhvillohen sot, kurse dy të tjera zhvillohen nesër.

Kampioni në fuqi dhe lideri aktual, Golden Eagle Ylli, do të përballet me skuadrën nga Shqipëria, Kamza Basket, e cila ka regjistruar dy fitore e nëntë humbje. Ylli është favorit në këtë ndeshje, pasi forma e tij në këtë ligë ka qenë mjaft e lartë, duke regjistruar dhjetë fitore e një humbje. Skuadra tjetër, Rahoveci, ka filluar këndelljen dhe në këtë xhiro do të përballet me Vllazninë e Shkodrës. “Vreshtarët” kanë katër fitore e shtatë humbje, ndërsa shkodranët dy fitore e nëntë humbje.

Të enjten do të zhvillohet një ndeshje derbi në mes të dy skuadrave nga Kosova, Prizrenit 16 dhe Pejës. Këto dy skuadra renditen në vendin e tretë, përkatësisht të dytin. Prizrenasit kanë shtatë fitore e katër humbje, ndërsa pejanët tetë fitore e tri humbje. Në ndeshjen e fundit për javën e 12-të do të jetë ajo mes dy klubeve nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës.

Tiranasit kanë pesë fitore e gjashtë humbje, ndërsa durrsakët gjashtë fitore e pesë humbje, andaj pritet një sfidë rivalizuese dhe dramatike. Krahas Ligës Unike te meshkujt do të zhvillohen edhe ndeshjet e mbetura të xhiros së gjashtë në konkurrencën e femrave.

Derbi do të jetë ndërmjet Penzës dhe Flamurtarit, dy skuadra që janë në krye të renditjes. Kampionet e Kosovës kanë regjistruar gjashtë fitore e dy humbje, duke u renditur në vendin e dytë, ndërsa skuadra nga Vlora është në pozitën e parë me shtatë fitore dhe një humbje.

Humbjen e vetme skuadra shqiptare e ka pësuar nga klubi pejan. Takimi tjetër është ndërmjet dy skuadrave kryeqytetase, Prishtinës dhe Tiranës. Skuadra prishtinase ka pesë fitore e tri humbje, ndërsa ajo tiranase ka tetë humbje në tetë ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme pa fitore.

Liga Unike e Meshkujve – Xhiro 12

Të mërkurën takohen:
17:00 Kamza – Golden Eaglle Ylli
19:00 Rahoveci – Vllaznia

Të enjten takohen:
17:00 Prizreni 16 – Peja
19:00 Tirana Neptun – Teuta

Liga Unike e Femrave – Java 6

Të mërkurën takohen:
19:00 Penza – Flamurtari

Të enjten takohen:
17:00 Prishtina – Tirana

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria ukrainase ka rënë dakord për një armëpushim 12-orësh me…