Ligjet për energjinë kalojnë në komision, Kosova drejt mbi 9 milionë eurove nga BE-ja
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përshëndetur votimin në komision të Projektligjit për energjinë dhe atij për energjinë elektrike.
Në një postim në rrjetet sociale, Rizvanolli u shpreh se këto ligje përbëjnë pjesë kyçe të legjislacionit nga pako e energjisë së pastër, për sektor të qëndrueshëm dhe me energji të përballueshme.
“Me miratimin e këtyre akteve dje dhe sot jemi në rrugë të drejtë plotësimit të kushteve për të përfituar mbi 9 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Përtej kësaj, këto ligje janë jetike për rritjen e konkurrencës, mbrojtjen e konsumatorëve, dhe reformimin e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës” u shpreh Rizvanolli.
Sipas saj, me ligjet e reja, mirëqenia e qytetarit vendoset në qendër të sistemit, që prej trajtimit të konsumatorëve të cenueshëm si mbrojtje e atyre që kanë më së shumti nevojë.
Postimi i plotë i saj:
Pas votimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sot dhe dje, Komisioni Parlamentar për Ekonomi miratoi në parim:
✅️ Projektligjin për Energjinë
✅️ Projektligjin për Energjinë Elektrike
Këto ligje përbëjnë pjesë kyçe të legjislacionit nga Pako e Energjisë së Pastër, për sektor të qëndrueshëm, me energji të përballueshme 🌱⚡️
Përmes këtyre ligjeve transpozohet pjesërisht Pakon e Energjisë së Pastër, duke krijuar bazën për aktet nënligjore për transpozim të plotë të Direktivës 2019/944 dhe Rregullores 2019/943 e duke përafruar kështu edhe me tutje harmonizimin e kornizës tonë legjislative me atë të Bashkimit Evropian 🇪🇺. Me miratimin e këtyre akteve dje dhe sot jemi në rrugë të drejtë plotësimit të kushteve për të përfituar mbi 9 milionë Eurov nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Përtej kësaj, këto ligje janë jetike për rritjen e konkurrencës, mbrojtjen e konsumatorëve, dhe reformimin e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës. Me ligjet e reja mirëqenia e qytetarit vendoset në qendër të sistemit tonë që prej trajtimit të Konsumatorëve të Cenueshëm si mbrojtje e atyre që kanë më së shumti nevojë përmes Nenit 23 të Ligjit për Energjinë e deri te zgjedhja e Furnizuesit të Shërbimit Universal me procedurë konkurruese si mekanizëm për ofrimin e shërbimit më të mirë me kushtet më të favorshme për të gjithë qytetarët e vendit.
Ndër të tjera, përmes këtyre projekt-ligjeve po krijojmë edhe bazën ligjore për ruajtjen e energjisë, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillim të projekteve të baterive, rrjet më stabil, investime në kapacitete gjeneruese dhe integrim në tregun rajonal e Evropian të energjisë elektrike.
Falënderoj të gjithë që kanë punuar në hartimin këtyre ligjeve, përfshirë asistencën teknike nga USAID, LuxDev dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë; qytetarët dhe organizatat që ofruan komente e sugjerime; dhe anëtarët e Komisionit për Ekonomi të cilët i trajtuan këto ligje me prioritin më të lartë dhe i përkrahën me votën e tyre.
Shpresoj që këto ligje të trajtohen më tej dhe të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë.



