Ligjet po i ndryshojmë, me DKA-të gjërat nuk po shkojnë aq shpejt sa kemi dëshirë
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI-t), Arbërie Nagavci, tha se po punojnë për ndryshimin e një numri të madh të ligjeve që presin sferën e arsimit.
Ajo i tha Ekonomia Online se disa ligje aktualisht janë finalizuar pas miratimit në Kuvend, ndërsa shtoi se disa të tjera janë në shqyrtim-plotësim.
Ndër të tjera, Nagavci tha se në të gjitha grupet punuese të Ministrisë kanë përfshirë përfaqësuesit e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) dhe shkollave, dhe se kanë një bashkëpunim më të mirë.
Por, sipas Nagavcit, gjërat nuk po shkojnë aq shpejt sa kanë dëshirë.
“Disa ligje tashmë janë finalizuar, siç është Ligji për Agjencinë e Akreditimit, i cili është votuar në Kuvend. Janë disa ligje të cilat janë në shqyrtim në Kuvend, siç është Ligji për Tekste dhe Mjete Mësimore, ndërkaq disa të tjerë janë drafte pothuajse finale të cilat do të jenë në dëgjim publik gjatë këtyre ditëve.
Në të gjitha grupet punese të Ministrisë ne i kemi edhe përfaqësuesit e drejtorive komunale, por edhe të shkollave. Mund të them se në aspekt të bashkëpunimit ka një bashkëpunim korrekt, megjithatë kur vjen puna tek implementimi në praktikë ka ende vend për përmirësime, sepse për arsye më të ndryshme ka edhe raste kur gjërat nuk shkojnë aq shpejt sa kemi dëshirë”, tha Nagavci.
Po ashtu, ajo tha se në aspektin e furnizimit me libra, raporti final tregon se shumica e aplikuesve janë ribursuar, por që ka ende raste individuale që nuk i kanë pranuar mjetet.
“Sa i përket çështjes së furnizimit me tekste dhe me mjete mësimore, e kemi publikuar raportin final, dhe mbi 96 deri në 97 % të aplikuesve u është bërë pagesa apo dismbursimi i mjeteve materiale, për disa raste individuale që kanë pasur kryesisht pengesa teknike janë duke u shqyrtuar individualisht derisa të realizohet edhe pagesa e fundit”.



