
Lillard largohet nga Milwaukee
Milwaukee Bucks kanë njoftuar zyrtarisht se kanë liruar nga kontrata yllin e ekipit, Damian Lillard. Ky vendim shokon botën e NBA-së, duke pasur parasysh rolin kyç që Lillard kishte në skuadër, përkrah Giannis Antetokounmpo. Lillard, i cili pësoi një këputje të tendinit të Akilit në fund të sezonit të kaluar, pritet të mungojë për një periudhë të gjatë.
Pikërisht dëmtimi i rëndë dhe koha e gjatë e rikuperimit thuhet se kanë qenë ndër arsyet kryesore që shtynë Bucks të marrin këtë hap drastik. Lirimi i tij nga kontrata do t’i kushtojë klubit nga Milwaukee plot 113 milionë dollarë – shuma e mbetur e marrëveshjes së tij afatgjatë, e cila do të paguhet gjatë pesë viteve të ardhshme përmes një formule të njohur si “stretch provision”, që ndihmon klubet të menaxhojnë më mirë kufirin e pagave. Ky vendim i Bucks vjen gjithashtu në kuadër të një strategjie të re ndërtimi.
Klubi është duke përgatitur hapësirën e nevojshme në buxhet për të nënshkruar me qendrën e njohur Myles Turner, ish-lojtar i Indiana Pacers. Turner raportohet se do të firmosë një kontratë katërvjeçare me vlerë 107 milionë dollarë.
Gjatë sezonit 2023/24, Lillard zhvilloi 58 ndeshje, duke regjistruar mesatarisht 24.9 pikë, 7.1 asistime dhe 4.7 kërcime për ndeshje. Tashmë ai është një lojtar i lirë dhe, pavarësisht dëmtimit, pritet të jetë një opsion shumë tërheqës për disa prej klubeve më ambicioze të NBA-së.