
Lille e rikthen Zhegrovën në ekipin e parë
Pritej që ylli i Kosovës në futboll, Edon Zhegrova të largohej nga Lille gjatë kësaj vere, pasi vetë lojtari kishte shprehur dëshirën për një transferim në një klub tjetër. Për shkak se nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete dhe të pranueshme, Zhegrova është riintegruar në ekipin e parë të Lille, pas një periudhe kur stërvitej me skuadrën rezervë.
“L’Equipe” raportoi se që nga mëngjesi i së hënës ai ka filluar të stërvitet me ekipin e parë, në të cilin ishte pjesë edhe sezonin e shkuar. Presidenti i Lille, Olivier Letang, deklaroi para disa ditësh se klubi e kishte parashikuar largimin e Zhegrovës këtë verë, por “kushtet nuk ishin të harmonizuara” për të finalizuar një transferim.
Kjo lë të hapur mundësinë që sulmuesi kosovar të qëndrojë edhe një sezon që do të jetë i fundit në kontratën e tij me klubin. Kur kanë mbetur edhe tri javë deri në mbyllje të afatit kalimtar në top kampionatet kryesore, Zhegrova do të mbetet pjesë e Lille për sezonin 2025/26, nëse ndonjë ofertë e madhe nuk ndryshon mendjen e palëve.