Limaj: Dëshmia e James Rubinit, thirrje për t’i lënë anash ‘politikat e mahallave’

23 shtator 2025 | 14:00

Kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Fatmir Limaj, ka vlerësuar se dëshmia e ish-ndihmëssekretarit amerikan, James Rubin në Gjykatën Speciale është thirrje që të bëhet dallim mes interesit kombëtar dhe politikave fërkuese të brendshme partiake.

Limaj ka thënë se për dy dekada në Kosovë është tentuar në mënyrë të dhunshme të ndryshohen elitat politike përmes gënjeshtrash ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Kjo çka ka ndodhë me dëshminë e z. Rubin, besoj unë, është një thirrje për njerëzit në Kosovë dhe përtej, ndani gjërat, mos prekni gjëra të shenjta të juaja, që nënkupton liria dhe pavarësia e Kosovës. Duhet të bëhet një vijë ndarëse, mes interesit nacional dhe politikave të mashallave të cilat nuk qojnë asgjëkund. Fatkeqësisht, tash e 20 vite në Kosovë është tentuar dhunshëm të ndërrohen elitat politike dhe ajo ka ndodhur. Vetë procesi i koordinuar i një lufte speciale ndaj krerëve të UÇK-së ka sjell deri aty popullit të Kosovës i është seruar si një e vërtetë një mashtrim i madh”, ka thënë Limaj në “Tëvë1”.

Kryetari i Nismës ka kritikuar qasjen që kanë mbajtur institucionet kosovare gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale, duke theksuar se Kosova ka qenë e papranishme për pesë vite.

Sipas Limaj, Kuvendi i Kosovës duhet të kishte krijuar mekanizma të përshtatshëm për të monitoruar procesin gjyqësor dhe për të mbrojtur interesat e vendit.

“Parlamenti i ka pas të gjithë mekanizmat duke ruajtur veten dhe Kosovën mos me ndyrë në drejtësi, por në anën tjetër duke kërkuar mbikëqyrjen e plotë të zbatimit të ligjeve dhe të drejtave të atyre që janë në sallë dhe të drejtave të Kosovës”, ka thënë Limaj.

Deklaratat e Limaj vijnë pas dëshmisë së James Rubin në Gjykatën Speciale, e cila ka ngjallur debate të gjera në opinionin publik kosovar rreth procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Limaj ka theksuar se kjo dëshmi duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjitha forcat politike në vend, në mënyrë që të vihet në qendër interesi kombëtar dhe jo llogaritë e ngushta politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa i…