Limaj: Do ta ftoj Kurtin për kafe javën e ardhshme

11 korrik 2025 | 11:58

Pas dështimit të 45-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik dhe ka paralajmëruar një takim të mundshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, javën e ardhshme.

“Kemi me vazhduar me pas takime. Kryeministri nëse nuk gaboj është në Bosnjë. E kam ndërmend edhe unë me ftuar me pi kafe – kështu me tentuar të gjejmë zgjidhje. Sot kthehet dhe mendoj javën e ardhshme do ta ftoj”, ka thënë Limaj, duke shtuar se palët politike tashmë kanë bërë lëshime nga pozicionet e tyre fillestare.

“Ne shumë kemi lëvizur shumë nga pozicioni. Krejt i kemi ofruar mundësit tona”, ka thënë ai.

Limaj ka theksuar se zgjidhja përfundimtare e krizës duhet të fokusohet në interesin shtetëror dhe në funksionalizimin e institucioneve demokratike.

“Kam përshtypjen që ky ngërç përfundimisht duhet të kalohet duke vendosur në epiqendër shtetin. Shtetin çdo ditë duhet ta meritojmë e ta mirëmbajmë për ta pasur, nuk është diçka e mirëqenë”, ka thënë Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Arben Fetoshi Në 30 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë,…