
Limaj: Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet për masakrën në burgun e Dubravës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar të rënët në masakrën në burgun e Dubravës.
Ai ka thënë se 26 vjet më parë ushtria dhe policia serbe kryen një nga krimet më monstruoze mbi të burgosurit në burgun e Dubravës.
Limaj ka bërë me dije se në mesin e të mbijetuarve të kësaj masakre është edhe vëllai i tij.
“Aty u vranë mbi 120 të burgosur dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Në mesin e të mbijetuarve të kësaj masakre ishte edhe vëllai im, Demiri, miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, Ekrem Kastrati, Ali Xhyliqi, si dhe shumë idealistë e atdhetarë të shquar të çështjes kombëtare. Pavarësisht se kryerësit e këtij krimi të tmerrshëm kanë emër dhe mbiemër dhe janë të njohur për të gjithë, për këtë krim askush nuk është dënuar. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet dhe kryesit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.