
Limaj: I ftova të gjithë që të fokusohemi në marrëveshje politike
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas takimit me liderët politikë, deklaroi se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë vetëm përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ka kërkuar një marrëveshje të qartë politike.
Ai shtoi se takimi ishte një hap i mirë, por kërkoi vijimin e tryezave të tilla dhe theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike që, sipas tij, është e vetmja rrugë për të dalë nga bllokada institucionale.
“U takuam pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kam shprehur qëndrimin tim, dëshirën edhe para jush dhe me partitë. Një tryezë politike është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje. Pas tre muajsh erdhëm te ky takim. Ky takim ka shkuar rreth qasjes se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pak është folur për atë që është tema kryesore: kriza politike dhe zgjidhja me marrëveshje politike. Ata që kanë pritur që aktgjykimi do ta zgjidhë krizën, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatës. Takimi si takim është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin takime të tjera. Unë u mundova të jap kontributin tim. I ftova të gjithë që të fokusohemi në marrëveshje politike që menjëherë zgjidh krizën”, shtoi Limaj.