Limaj: Lista jonë për këto zgjedhje është më shumë se një renditje emrash
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mbajtur takim me kandidatët për deputetë, ku ka theksuar se lista e tyre për këto zgjedhje është më shumë se një renditje emrash.
“Është bashkimi i 110 grave e burrave të kësaj rruge politike, njerëz të ndershëm, profesionistë të dëshmuar, ekonomistë, juristë, punëtorë të çdo fushe të jetës, atdhetarë që kanë mbajtë barrën e këtij vendi me punë e sakrificë, si dhe ish-luftëtarë të UÇK-së që e kanë nderuar uniformën dhe amanetin e Kosovës. Janë njerëz që nuk vijnë për privilegj, por për përgjegjësi”, ka theksuar Limaj.
Ai ka thënë se këta kandidatë janë bashkuar rreth një qëllimi të vetëm: që zëri i drejtë, zëri i kësaj rruge politike, të kthehet në Kuvend.
“Kjo listë është thirrja jonë për bashkim, për maturi dhe për veprim.
Për t’u rreshtuar rreth vlerave që na kanë mbajtur gjallë dhe në këmbë, punës, besës, përkushtimit dhe integritetit”.
“Me këtë përbërje të fuqishme e gjithëpërfshirëse, NISMA Socialdemokrate është gati ta përfaqësojë qytetarin në Kuvend dhe të japë kontribut të drejtë, të ndershëm dhe vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Bashkë e çojmë këtë zë në Kuvend”, ka deklaruar Limaj.



