Limaj: Prekazi mbetet themeli i shtetit tonë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, bashkë me bashkëpunëtorë, ka shkuar në Prekaz në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të përkujtuar me nderim të thellë dhe krenari sakrificën sublime të familjes Jashari.
Ai ka thënë se Prekazi mbetet themeli i shtetit tonë dhe simbol i qëndresës sonë kombëtare, aty u vulos rruga jonë drejt lirisë dhe pavarësisë, me gjakun dhe trimërinë e bijve më të mirë të këtij vendi.
“Heroizmi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i familjes së tij është dëshmi e pathyeshmërisë së popullit tonë. Sakrifica e tyre na obligon çdo ditë që të punojmë me përkushtim për shtetin tonë dhe të mbrojmë e çojmë përpara amanetin e tyre të shenjtë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit!”, ka shkruar Limaj në ‘Facebook’.



