Limaj: Qeveria pa suksese, vitet janë të humbura
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në intervistën dhënë RTK-së ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke thënë se ajo nuk ka shënuar asnjë sukses në sektorët kryesorë të vendit, përfshirë shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin.
“Unë i gëzohem çdo suksesi të qeverisë së vendit tim, por kësaj here po i shpalos dështimet. Nuk ka asnjë sukses. Ku janë investimet? Janë vite të humbura për Kosovën”, deklaroi Limaj.
Ai kritikoi mënyrën e shpërndarjes së mjeteve financiare nga qeveria, duke e quajtur atë të paqëndrueshme dhe pa efekt zhvillimor. “Paratë po shpërndahen si nga një kontabilist – nga 100 euro për studentë, pensionistë e fëmijë. Sot, me 100 euro e ofendon studentin”, tha Limaj.
Sipas tij, studentët duhet të kenë kushte reale zhvillimi, përfshirë krijimin e qendrave të teknologjisë informative (IT) në Kosovë, ndërsa mjetet buxhetore aktuale nuk po shfrytëzohen siç duhet. “Shteti është vetëm shpenzues, ndërsa rritja e buxhetit vjen nga biznesi, jo nga shteti”, theksoi ai.
Duke krahasuar periudhat qeverisëse, Limaj kujtoi se gjatë kohës sa Nisma ishte pjesë e qeverisjes, buxheti i Kosovës ishte më pak se 700 milionë euro. “Me atë buxhet i rritëm pagat në të gjithë sektorët. Kur e dorëzuam qeverinë, buxheti ishte dyfishuar në 1.5 miliardë euro”, u shpreh ai.
Limaj bëri thirrje për një qasje të re ekonomike, të bazuar në plane afatgjata dhe në hapjen e investimeve. “Kryeministri duhet të ketë plan se ku është biznesi pas katër vitesh, çfarë plani ka për bujqësinë, a duhen subvencione. Gjithçka duhet të planifikohet”, tha ai.
Sa i përket politikës së jashtme, Limaj kritikoi akuzat e nxituara ndaj politikanëve ndërkombëtarë, duke përmendur rastin e ish-presidentit amerikan Donald Trump. “Akuza për ‘thika mbi harta’ ishte gabim i kryeministrit Kurti. Nënshkrimi i Trump për ligjin e mbrojtjes ishte më shumë se lajm”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Kosova duhet të investojë më shumë në sektorin e mbrojtjes, me synimin që nga një konsumues i sigurisë të shndërrohet në ofrues të saj.



