Limaj rizgjedhet kryetar i Nismës Socialdemokrate

25 maj 2025 | 15:22

Në Kuvendin e sotëm zgjedhor, Fatmir Limaj është zgjedhur sërish në krye të partisë Nisma Socialdemokrate.

Limaj ka marrë të gjitha votat e mbi 350 delegatëve të pranishëm, pa asnjë abstenim dhe votë kundër.

Ai në këtë post do të qëndrojë për katër vitet e ardhshme.

Në hapje të Kuvendit Zgjedhor, Limaj është shprehur se janë rikthyer në Kuvendin e Kosovës falë qëndrueshmërisë e vendosmërisë.

Limaj ka përmendur një nga themeluesit e kësaj partie, Jakup Krasniqin, për të cilin ka thënë se shpreson që shpejt të kthehet i lirë në Kosovë.

“Sot vijmë në kuvend të rikthyer fuqishëm në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe unë pres që organet që do të dalin nga këtu, edhe Këshilli Kombëtar edhe kryesia të vazhdojnë fuqishëm në një etapë të re, të fuqizimit të mëtutjeshëm të Nisma-s Socialdemokrate. Edhe sot si në kuvendin e kaluar na mungon një nga themeluesit kryesor të kësaj partie, baca Jakup dhe shpresoj që shumë shpejt do të jetë këtu… Besoj që edhe kjo që ka ndodhur deri më tani është e jashtëzakonshme por po shpresojmë që shumë shpejt do ta kemi në mesin tonë për të dhënë angazhimin e tyre”, ka thënë ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate po ashtu ka thënë se kjo strukturë e ka kthyer partinë të përfaqësuar në parlament.

“Nisma u kthye në parlament falë një pune të jashtëzakonshme, falë qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë dhe besnikërisë tonë të përbashkët. Duke besuar në ato vlera, kaluam sfida dhe vështirësi, dhe ja ku jemi sot. Ne së bashku u futëm në atë betejën e zgjedhjeve të kaluara të përgjithshme dhe sot Nisma Socialdemokrate po përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me tre deputetë, me Arbreshën dhe Xhevën, e që do të vazhdojmë të punojmë për ta rikthyer dhe për ta ngritur zërin e Nisma-s në Parlamentin e Kosovës dhe për të vazhduar e punuar për atë që ne besojmë”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, ka shtuar se për zgjedhjet lokale duhet të punohet, për çka u shpreh se duhet të përfaqësohen në secilën asamble komunale.

“Kjo strukturë që do të dalë do ta ketë përgjegjësinë në nivel lokal, ju nëpër degë e ne bashkë me ju të punojmë fort për zgjedhjet lokale që na presin. Ju ftojë që të komunikoni me vajza e djem, gra e burra në nivele lokale për t’i ftuar që të marrin pjesë në jetën publike dhe politike. Pjesëmarrja në jetën publike shumë është e rëndësishme për mirëqenien dhe forcimin e zhvillimin e këtij vendi. Ftoni vajzat dhe djemtë e rinj që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve në vendin e tyre. Angazhimi në jetën publike është për t’i shërbyer vendit. Kushdo që nuk duan të përzihen në jetën publike dhe politike, sepse me i ‘këqyrë punët e mia’, me i pas këqyrë punët e tona sot secili sot Kosova nuk do të ishte këtu. Vetëm ata që nuk e kanë shqetësimin për vendin këqyrin me i këqyr punët e tyre”, ka thënë Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore…