
Limaj: Secili subjekt e ka në agjendë t’i shterojë alternativat, duhet të kemi marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, sërish i shpreh i bindur që Kosova “së shpejti” do t’i ketë institucionet.
Këtë deklaratë Limaj e ka bërë pas dështimit të 26-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Tash e sa kohë janë zhvillimet e njëjta. S’ka dilemë që qytetarët e Kosovës presin formimin e institucioneve. Unë besoj që dalë nga dalë po afrohet koha dhe besoj shumë shpejt Kosova do t’i ketë institucionet e veta. Shpresoj”.
“Secili subjekt politik e ka një agjendë të vetën për t’i shteruar alternativat e ndryshme. Ajo që është e qartë është se duhet të ketë një marrëveshjeve politike që Kosovës do t’ia jepte institucionet edhe në parlament edhe në qeveri”, ka thënë Limaj.
Më tutje, Limaj ka thënë se secili subjekt politik e ka përgjegjësinë e njëjtë, ndërsa tha se partia e tij në bazë të kapacitetit që ka, po e merr përgjegjësinë e vet.
“Si Nismë kemi ofruar një mundësi mbi bazën e mundësive tona. Jam i bindur që shumë shpejt Kosova do t’i ketë institucionet e veta”, ka deklaruar Limaj
I pyetur nëse do të ketë takime, Limaj ka thënë se ato “do të ndodhin”, ndërsa ka përmendur edhe atë të sotmin që e ka ftuar presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjet lokale.