
Limaj s’i frikësohet zgjedhjeve: Në çdo drejtim jemi këtu për të dhënë kontributin tonë
Lideri i Nismës Socialdemokrate, deputeti Fatmir Limaj, ka thënë se është në interes të Kosovës që të formohen institucionet sa më parë, por tha se nuk iu frikësohet zgjedhjeve.
“Por nëse s’ka zgjidhje, atëherë zgjidhje tjetër janë zgjedhjet. Në çdo drejtim jemi këtu për të dhënë kontributin tonë”, ka thënë Limaj para se të fillonte seanca, në të cilën sërish deputetja e Vetëvendosjes ka dështuar të zgjidhet kryeparlamentare.
Limaj në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte garuar në një koalicion të përbashkët me partinë e Ramush Haradinajt, por pas zgjedhjeve, raporti mes tyre është përçarë për shkak të mundësisë që Limaj e la të hapur për bashkëpunim me Vetëvendosjen – bashkëpunim të cilin AAK e kundërshton kategorikisht.
Limaj ka thënë se zhbllokimi në Kuvend do të ndodhte vetëm përmes marrëveshjeve politike.
“Duhet ta kuptoni që formimi i institucioneve gjithmonë ka marrë kohën e vet. Me marrëveshje politike është e vetmja rrugë që përmes marrëveshjeve politike që do të zgjedhë edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë”, ka thënë ai.