
Limaj takohet me William Walkerin: Figura e tij mbetet pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka pritur në takim me ambasadorin William Walker.
Limaj ka thënë se figura e e Walkerit betet pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe kujtesës kolektive.
“Takimi me ambasadorin Walker, rikujtim i së vërtetës që ndryshoi historinë tonë. Sot pata nderin ta mirëpres në takim ambasadorin William Walker, mik të madh të popullit të Kosovës dhe zërin që më 15 janar 1999 e vuri botën përballë së vërtetës tragjike të Reçakut. Ky takim ishte më shumë se kujtim, ishte rikthim në një moment kyç që ndryshoi rrjedhën e historisë sonë. Me guxim dhe ndershmëri, ambasadori Walker foli kur shumë të tjerë heshtnin. Ai dëshmoi për krimin dhe kërkoi drejtësi në emër të dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. Shtrëngimi i dorës me të sot, për mua si qytetar, si ish-ushtar i lirisë dhe si politikan, ishte një falënderim i përjetshëm për kontributin që ai dha në mbrojtje të drejtës sonë. Figura e tij mbetet pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe kujtesës kolektive, si dëshmitar i së vërtetës dhe si zë që nuk lejoi që ajo të mohohej apo të harrohej”, ka shkruar Limaj në “Facebook”.