Limaj takon ambasadorin italian: Kosova po hyn në dialog me objektiva të qarta

21 dhjetor 2018 | 14:39

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Limaj e ka njoftuar ambasadorin italian për takimet e para që delegacioni shtetëror po i zhvillon disa ditë pas votimit në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, ambasadori Sardi tha se Italia e përkrah fuqishëm delegacionin shtetëror të votuar në Kuvendin e Kosovës.

Ambasadori ka thënë se Kosova ka bërë një hap të madh me votimin e këtij delegacioni dhe se Roma inkurajon Kosovën ta vazhdojë dialogun me Serbinë.

Bashkëkryesuesi Limaj e ka njoftuar se delegacioni ka mbajtur mbledhjen e parë konstituive ku janë marrë disa vendime; siç është ai për ta përgatitur platformën apo parimet për bisedime me Serbinë.

Limaj e ka njoftuar edhe për takimet e delegacionit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ideja e këtyre takimeve, sipas Limajt, është koordinimi i aktiviteteve dhe marrja e gjithë informacioneve dhe dokumentacionit se çka është biseduar deri më tani me Serbinë.

Limaj e ka siguruar ambasadorin italian se delegacioni do të jetë në koordinim të plotë me institucionet tjera.

Limaj ka deklaruar se Kosova futet në këtë dialog me objektiva të qarta; arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila çon në njohje reciproke dhe mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur në…