Liria dhe lumturia

20 tetor 2025 | 08:31

GEORGE ORWELL

(Për romanin Ne të Jevgenij Zamjatinit)

Disa vjet pasi dëgjova për ekzistencën e tij, më në fund mora në dorë një kopje Ne të Zamjatinit, që është një nga kërshëritë letrare të kësaj epoke që i djeg librat. Duke lexuar në librin e Gleb Struve, 25 vjet të letërsisë ruse sovjetike të Gleb Struve, zbuloj se historia e tij ka qenë kjo:

Zamjatini, i cili vdiq në Paris në vitin 1937, ishte romancier dhe kritik rus, i cili botoi një sërë librash para dhe pas Revolu­cionit. Ne u shkrua rreth vitit 1923, dhe megjithëse nuk është drejtpërdrejt për Rusinë dhe nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me politikën bashkëko­hore, është një fantazi që ka të bëjë me shekullin e njëzetë e gjashtë pas Krishtit – u refuzua për botim me arsyeti­min se ishte ideologjikisht i padëshirueshëm. Një kopje e dorëshkrimit gjeti rrugën e vet jashtë vendit dhe libri u botua i përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe çekisht, por kurrë në rusisht. Përkthimi në anglisht u botua në Shtetet e Bashkuara dhe unë kurrë nuk kam arritur të blej një kopje: por kam një kopje të përkthimit në frëngjisht (titulli është Nous Autres) dhe, më në fund, ia kam dalë të huazoj një. Për aq sa mund të gjykoj, nuk është një libër i rangut të parë, por është një libër i pazakontë dhe është për t’u habitur që asnjë botues anglez s’ka ndërmarrë nismën për ta ribotuar.

Gjëja e parë që do të vinte re kushdo në lidhje me Ne është fakti – besoj që nuk është vënë në dukje kurrë – se Më e mira e botëve e Oldës Hakslit duhet të rrjedhë pje­sërisht prej saj. Të dy librat trajtojnë rebelimin e shpirtit primitiv njerëzor kundër një bote të racionalizuar, të mekanizuar, pa dhimbje, dhe të dyja rrëfimet supozo­het të ndodhin rreth pas gjashtëqind vjetësh.

Atmosfera e dy librave është e ngjashme dhe, përafër­sisht, është e njëjta lloj shoqërie që përshkruhet, megji­thëse libri i Hakslit tregon më pak vetëdije politike dhe është më shumë i ndikuar nga teoritë e fundit biologjike dhe psikologjike. Në shekullin e njëzetë e gjashtë, në vizionin e Zamjatin për të, banorët e Utopisë e kanë humbur plotësisht individualitetin e tyre saqë njihen vetëm me numra. Ata jetojnë në shtëpi prej xhami (është shkruar para se të shpikej televizioni), gjë që i mun­­dëson policisë politike, e njohur si Gardianët, t’i mbi­këqyrë më lehtë. Ata të gjithë veshin uniforma identike, dhe një qenie njerëzore zakonisht quhet “numër” ose “unif” (uniformë). Ata jetojnë me ushqim sintetik dhe argëtimi i tyre i zakonshëm është të marshojnë katër veta, ndërsa nga altoparlantët dëgjohet himni i Shtetit të Vetëm.

Në intervalet e përcaktuara u lejohet për një orë (e njohur si “ora e seksit”) t’i ulin perdet rreth apartamen­teve të tyre prej xhami. Natyrisht, nuk ka martesë, megjithëse jeta seksuale nuk duket të jetë plotësisht e shthurur. Për qëllime të bërjes së dashu­risë, të gjithë kanë një lloj libri racionesh me bileta rozë dhe partneri me të cilin kalon një nga orët e caktuara të seksit firmos fletën e kundërt. Shteti i vetëm drejtohet nga një perso­nazh i njohur si Mirëbërësi, i cili rizgjedhet çdo vit nga e gjithë popu­llata. Vota është gjithmonë unanime. Parimi drejtues i shtetit është se lumturia dhe liria janë të papajtueshme. Në kopshtin e Edenit njeriu ishte i lumtur, por duke u treguar i marrë, kërkoi lirinë dhe u dëbua në tokën e egër. Tani Shteti i Vetëm ia ka rik­thyer lumturinë duke i hequr lirinë.

Deri më tani ngjashmëria me Më e mira e botëve është e habi­tshme. Por ndonëse libri i Zamjatinit nuk është strukturuar po aq mirë, ai ka një subjekt mjaft të dobët dhe episodik që është tepër i ndërlikuar për t’u përmble­dhur – ai ka një pikë politike që i mungon tjetrit. Në librin e Hakslit problemi i “natyrës njerëzore” është zgjidhur në njëfarë mënyre, sepse supozon se me traj­timin para lindjes, ilaçet dhe sugjerimet hipnotike, orga­nizmi i njeriut mund të specializohet në çdo mënyrë që të dëshi­rohet. Një punëtor shkencor Iks i klasës së parë prodhohet po aq lehtë sa një gjysmë budalla Epsilon dhe, në secilin rast, gjur­mët e instin­kteve primitive, si ndjenja e mëmësisë ose dëshira për liri, trajtohen me lehtësi. Në të njëjtën kohë nuk jepet një arsye e qartë pse shoqëria duhet të ndahet në shtresa në mënyrën e përpunuar që përshkruhet. Qëllimi nuk është shfrytëzimi eko­nomik, por nuk duket të jetë motiv as dëshira për të të detyruar të bësh gjëra dhe për të dominuar. Nuk ka uri për pushtet, nuk ka sadizëm, asnjë ashpërsi të çfarëdo lloji. Ata që janë në krye nuk kanë asnjë motiv të fortë për të qëndruar në krye, dhe megjithëse të gjithë janë të lumtur në një mënyrë të zbrazët, jeta është bërë aq e pakuptimtë sa është e vësh­tirë të besohet se një shoqëri e tillë mund të durojë.

Libri i Zamjatinit është në përgjithësi më i rëndësishëm për situatën tonë. Pavarësisht prej edukimit dhe vigjilencës së gar­dianëve, shumë nga instinktet e lashta njerëzore janë ende aty. Rrëfimtari i historisë, D-503, i cili, edhe pse një inxhinier i talentuar, është krijesë e varfër konvencionale, një lloj utopiani Billi Braun nga Londra, tmerrohet vazhdimisht nga impulset ataviste që e mbër­thejnë. Ai bie në dashuri (ky është një krim, sigurisht) me njëfarë I-330, i cili është anëtar i një lëvizjeje të rezistencës nëntokësore dhe ia del mbanë për ca kohë ta bëjë të rebelohet. Kur shpërthen rebelimi, del që armiqtë e “Mirëbërësit” janë, në fakt, mjaft të shumtë dhe këta njerëz, përveçse komplo­tojnë përmbysjen e shtetit, kënaqen madje kur perdet e tyre janë ulur, me vese të tilla si pirja e cigares dhe pirja e alkoolit. D-503 përfundimisht shpëtohet nga pasojat e marrëzisë së tij. Autoritetet njoftojnë se kanë zbuluar shkakun e çrre­gullimeve të fundit: ka ndodhur ngaqë disa qenie njerë­zore vuajnë nga një sëmundje e quajtur imagjinatë. Vendndodhja e qendrës nervore, përgjegjëse për ima­gjinatën, tani është gjetur dhe sëmundja mund të kuro­het me anë të trajtimit me rreze X. D-503 i nënshtrohet operacionit, pas të cilit e ka të lehtë të bëjë atë që ka ditur gjatë gjithë kohës që duhet të bëjë – d.m.th., t’i tradhtojë bashkëpunë­torët në polici. Me qetësi të plotë ai shikon I-330 që torturohet me anë të ajrit të ngjeshur nën një kambanë prej qelqi:

Ajo më shikoi ngultas, duke shtrënguar me duart krahët e karriges, derisa sytë iu mbyllën plotësisht. E nxorën jashtë, e sollën në vete me rrymë elektrike dhe e futën sërish nën kambanën prej qelqi. Ky operacion u përsërit tri herë dhe asnjë fjalë s’doli nga buzët e saj. Të tjerët që u sollën aty me të u treguan më të ndershëm. Shumë prej tyre u rrëfyen pas një seance. Nesër do të dërgohen të gjithë te Makina e Mirëbërësit.

Makina e Mirëbërësit është gijotina. Ka shumë ekze­kutime në Utopinë e Zamjatinit. Ato zhvillohen publi­kisht në prani të Mirëbërësit dhe shoqërohen me ode ngadhënjyese të recituara nga poetët zyrtarë. Gijotina, natyrisht, nuk është instrumenti i vjetër i papërpunuar, por një model shumë i përmirësuar që e asgjëson vikti­mën duke e shndërruar brenda një çasti në një grusht tymi dhe në një pellg me ujë të pastër. Ekzekutimi është, në fakt, një sakrificë njerëzore dhe skenës që e për­shkruan i jepet qëllimisht nuanca e zezë e qytetërimeve me skllavëri të botës së lashtë. Është kjo rrokje intuitive e anës joracionale të totalitari­zmit – sakrifica njerëzore, mizoria si qëllim në vetvete, adhu­rimi i një Udhëheqësi të cilit i mvishen cilësi hyjnore, që e bën librin e Zamja­tinit superior ndaj atij të Hakslit.

Është e lehtë të kuptosh pse libri u refuzua të botohej. Biseda e mëposhtme (e përmbledh pak) midis D-503 dhe I-330 do të kishte qenë mjaft e mjaftueshme për t’i vënë në lëvizje censorët:

– A e kupton se ajo që po sugjeron është revo­lucion?

– Sigurisht, është revolucion. Pse jo?

– Sepse nuk mund të ketë revolucion. Revolu­cioni ynë ishte i fundit dhe nuk mund të ketë kurrë një tjetër. Të gjithë e dinë këtë.

– Miku im, ti je matematikan: më thuaj pak, cili është numri i fundit?

– Çfarë do të thuash me numrin e fundit?

– Epo, atëherë, numri më i madh!

– Por kjo është absurde. Numrat janë të pafund. Nuk mund të ketë një të fundit.

– Atëherë pse flet për revolucionin e fundit?

Ka fragmente të tjera të ngjashme. Megjithatë, mund të ndodhë që Zamjatini nuk kishte ndër mend që regjimi sovjetik të ishte objektivi i veçantë i satirës së tij. Duke shkruar në kohën e vdekjes së Leninit, ai nuk mund të kishte pasur parasysh diktaturën e Stalinit dhe kushtet kur në Rusi në vitin 1923 nuk ishin të tilla që dikush të revoltohej kundër tyre me arsyetimin se jeta po bëhej shumë e sigurt dhe e rehatshme. Ajo që duket se synon Zamjatini nuk është ndonjë vend i veçantë, por syni­met e nënkuptuara të qytetërimit industrial. Nuk kam lexuar asnjë nga librat e tij të tjerë, por mësoj nga Gleb Struve se ai kishte kaluar disa vjet në Angli dhe kishte shkruar disa satira të fuqishme për jetën angleze. Bëhet e qartë nga Ne se kishte një prirje të fortë drejt primitivizmit. I burgosur nga qeveria cariste në vitin 1906 dhe më pas i burgosur nga bolshevikët në vitin 1922 në të njëjtin korridor të të njëjtit burg, ai kishte arsye të mos pël­qente regjimin politik nën të cilin kishte jetuar, por libri i tij nuk është thjesht shprehje e një ankese. Është, në fakt, një studim i Makinerisë, xhindit që njeriu e ka nxjerrë pa menduar nga shishja dhe nuk mund ta rik­thejë. Ky është një libër për t’u lexuar kur të botohet në anglisht.

Tribune, 4 janar 1946

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela.

Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”.

© “Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GAO XINGJIAN Ligjërata e çmimit Nobel për letërsi Stokholm, Akademia…