Liria dhe propaganda

15 shkurt 2023 | 07:59

Në të njëjtin vit të së përkohshmes është edhe një lloj vëzhgimi me ngjyrime polemizuese me titull: “Ç’është liria”. Konica, i zhgënjyer dhe i zemëruar pas numrit të parë të revistës Albania, ka të ngjarë se me anë të këtij shkrimi i godet dhe i sulmon shqiptarët e “llafeve” të mëdha, të dokrrave dhe të premtimeve të rreme që, pos fjalëve, kurrgjë tjetër s’kanë bërë dhe nuk bëjnë për lirinë dhe kombin. Ai me këtë rast reagon ashpër kundër atyre që ende s’bënë diçka të njëmendët për lirinë, se nuk dinë ç’është liria e lëre më të luftojnë për të në mënyra të ndryshme. Fillimi i ashpër i vëzhgimit u paraprinë fjalë të rrepta:

“Ç’është liria!? Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanjë kokën gomarëve dhe në vent të trurit, të kllas këtë… Ç’është liria? Të mos të kisha nisur këtë fletën (vaftë në djallë) s’do të humbja kohën time të mësonjë gomarëve ç’është liria. Dy muaj janë që u nis kjo punë (e revistës) dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shes pleh njeriu se të nisë një punë për shqiptarët. Janë nja 50 shqiptarë që kuptojnë ç’është liria: ata nuk na shkrojtën gomarira, se dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në funt të shpirtit. Ç’është liria:

Liria është të mundet njeriu: 1) të besojë ç’i do zemra; 2) të thotë ç’i do zemra; 3) të shkrojë ç’i do zemra; 4) të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundrë lirisë tjetërit njeri”.

Pasi me këto fjalë u drejtohet atyre “patriotëve” që ia bënë rrafsh Konicës në bisedime me të, as që i ndihmuan daljes në dritë të revistës, as që e mbajtën fjalën për shpërndarjen e saj dhe as që e lexuan atë, ai e jep defi­nicionin e lirisë që përkon me atë të enciklopedistëve francezë dhe të Kontratës shoqërore të Rusoit, e pastaj e ndërron tonin dhe vëllezërit shqiptarë i lut dhe i përgjëron që të mos harrojnë se cilët janë, të mos e lënë Shqipërinë pa liri, t’i hapin zemrat të kuvendojnë si njerëz të qytetëruar dhe bijë të një kombi, të betohen se do të kenë synime, dëshira dhe vendosmëri të njëjtë, se në këtë mënyrë: “Do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë; s’do të kemi mendime të fshehura dhe do të kuptojmë që të tërë se jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së vërtetës e dëshirimi i Shqipërisë!”

Në esenë e shkurtër, që gjendet në të njëjtin numër, me titull Propaganda, autori pasi shpjegon se fjala propagandë është e njëjtë në të gjitha gjuhët e Evropës, kështu që është e udhës të mbetet njësoj në gjuhën shqipe, e jep edhe definicionin e këtij nocioni: “Propagandë do me thënë të përhapurit e një të vërtetës, e një gënjeshtrës, e çdo gjëje që kemi në zemër”.

Duke dhënë shkoqitje të tjera interesante për propa­gandën, si mënyra e luftës për liri, drejtësi dhe barazi, Konica sqaron: “Ai që beson gjëkafshë dhe përpiqet që ta besojnë dhe të tjerë, bën propagandë, ai që është armik me gjëkafshë dhe mundohet me këtë të jenë dhe të tjerë armiq, bën propagandë; neve që shkrojmë të përkoh­shmen që të tunden shqiptarët nga gjumi, bëjmë propagandë; ata që zgjohen prej neve e duan të zgjojnë dhe të tjerë, bëjnë propagandë”.

Meqë propaganda është një mundësi për përhapjen e të vërtetës dhe të flakjes së gënjeshtrave mbi shqiptarët, meqë propaganda, sipas definicionit të dhënë nga Konica, mund të jetë edhe njëlloj bisede, ligjërimi, bashkë­veprimi, artikulli, lutje, kandisje dhe bindje për të zgjuar apo ndërruar men­djen dikujt ose për t’ia mbushur mendjen tjetrit, për ta përgënjeshtruar trillimin e armikut dhe për të fituar miq e për ta bërë dikë për vete, autori përfundon: “Për neve propaganda është nevojë, shtrën­gim. Pa propagandë nuk shpëtojmë dot Shqipërinë. Shqiptari i vërtetë duhet të bëjë propagandë nat’ e ditë; ka detyrë të përpiqet të kthejë ata që janë në udhë të djallit, t’u dëftojë që edhe nderi edhe feja, edhe mirësia, edhe interesi, të tëra u thanë të jenë shqiptarë; ka detyrë të bëjnë propagandë me pushkë, me të holla, me fjalë; me shkronja, me të lutura, me dacka, si t’i vijë nga dora”.

Herë duke folur për armiqtë e Shqipërisë dhe herë duke u bërë thirrje shqiptarëve që t’i kenë mendtë dhe të bashkuar të luftojnë për liri e atdhe, për shkolla shqipe dhe zhvillim intelektual, Konica e përgatit lexuesin e atëhershëm shqiptarë që të ketë të qartë më pare se ç’është liria, në mënyrë që pastaj t’i japë udhëzimet dhe shpje­gimet e para për përhapjen e propa­gandës aq të nevoj­shme kombëtare.

Marrë nga libri Me Konicën në Evropë, i autorit Abdullah Karjagdiu, ribotim nga shtëpia botuese “Koliqi”, Prishtinë, 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka arritur sot…