
Liria e shtypit, Osmani: E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar mediet në vendin tonë me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Me këtë rast, Osmani ka thënë se e vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve.
“Liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, dua ta shprehë konsideratën time për mediet profesionale e të guximshme. Dua t’i inkurajoj ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, ngase liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë. Të një shoqërie ku çdo ditë krijojmë hapësirë për ta dëgjuar mendimin ndryshe dhe ku secili ndihet i lirë ta thotë atë që e mendon. Media/gazetarë të nderuar, urime dita juaj! Hulumtoni, siguroni prova, nxirrni konkluzione në bazë të tyre. E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.