‘Liria ka emër’ fton qytetarët të marshojnë në kërkim të drejtësisë për ish-udhëheqësit e UÇK-së

23 mars 2023 | 15:10

Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizon marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Së fundmi në “Facebook”, te web-faqja “Liria ka emër” është publikuar një video, ku ftohen qytetarët të marrin pjesë në këtë marsh.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Eliza Hoxha.

Më tutje, ajo ka shtuar se duke qenë plotësisht koshient se drejtësia si parim, është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.

“Gjithsesi, duhet të jemi edhe koshient, se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare, është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe ne, nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill, ju ftojmë për një Marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, ka thënë Hoxha.

Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh – është e vërteta e Kosovës.

“Megjithatë, përbrenda vetë nesh, e kemi për obligim që të vërtetën historike e dinjitetin tonë kombëtar ta mbrojmë me përkushtim dhe pikërisht për këtë qëllim”, ka thënë Tasholli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se…