‘Liria ka emër’ numëron shkeljet e Speciales ndaj liderëve të UÇK-së, protestat mbesin opsion

10 qershor 2025 | 14:51

Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur të martën një konferencë për medie, ku kanë numëruar shkeljet që Gjykata Speciale në Hagë po bënë ndaj krerëve të UÇK-së.

Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se duhet të ngrihet zëri kundër padrejtësive.

“Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë për shkeljen e të drejtave të njeriut për Gjykatën e Hagës. Kosova e ka mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale me besimin se do të përcjellën në veprim nga standardet evropiane, megjithatë procesi që është zhvilluar për më shumë se 4 vjet ka qenë larg standardeve evropiane. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë alarmante. Sot kur procesi po shkon drejt përfundimit, kur Prokuroria ka përmbyllur paraqitjen e provave, këto shkelje duhet të evidentohen, të ngrihet zëri kundër padrejtësisë. Gjitha këto shkelje, nga mohimi i të drejtave themelore, vonesat e pajustifikueshme në proces, tregon se procesi ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. Kërkojmë të rishqyrtohen praktikat e kësaj gjykate, të sigurohet respektimi i Kushtetutës. Procesi të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë, jo të paragjykimeve”, ka thënë Tasholli, duke kërkuar nga shtetet financuese të Gjykatës Speciale që të garantojnë proces të drejtë gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së

“U bëjmë thirrje shteteve financuese që të marrin përgjegjësinë institucionale e morale për të garantuar që puna e gjykatës të jetë në përputhje me parimet themelore të drejtësisë, e jo të ndikohet nga interesat apo agjenda politike. Kjo nuk është përpjekje për të ndërhyrë në drejtësi, por kërkesë që drejtësia të zbatohet në përputhje me parimet e standardet evropiane”, ka thënë Tasholli.

Më tutje, Tasholli ka paralajmëruar se në të ardhmen, nëse nuk ka ndryshime, mbetet i hapur opsioni për protestë.

“Zakonisht ne kemi mekanizma qytetar për me iu përgjigj secilës padrejtësi, opsion është edhe protesta. Secila mundësi është e hapur, te shohim nëse diçka po ndërron për mirë, krejt rruga është e gabuar. Shpresojmë që nuk do të vazhdojë të ndodhin këto shkelje, opsionet e një përgjigje qytetare janë të hapura”, ka thënë Tasholli.

Ndërsa profesori i së Drejtës Kushtetuese dhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka numëruar shkeljet e Gjykatës Speciale.

“Gjykata Speciale që akuzon Thaçin dhe të tjerët është themeluar mbi raportin e Dick Martyt për ‘Shtëpinë e Verdhë’, dhe mbi këtë fakt është ndërtuar Gjykata Speciale. Kur është publikuar aktakuza me redaktimet që dihen, dhe sot në fund të procesit, nuk ekziston asnjë fjali për ‘Shtëpinë e Verdhë’. E dyta, ju e dini që Hashim Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, janë për më shumë se 4 vjet në paraburgim, nuk janë në burg. Prezumohen të pafajshëm ligjërisht. Kjo është shkelje e standardeve për të drejtat e njeriut, shkelje e Kushtetutës, shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. E pabesueshme që një gjykatë në zemër të Evropës mban të akuzuarit 4 vjet në paraburgim”, ka thënë Gruda, duke vazhduar me numërimin e shkeljeve nga ana e Speciales në rastin e liderëve të UÇK-së dhe të tjerëve.

“Shkelja e tretë, është marrja e provave përmes Serbisë. Serbia është vend armiqësor ndaj Kosovës, dhe fakti që prokuroria ka akses për të marrë prova, e mbrojtja nuk ka akses, sepse nuk ka kuptim, i vë në pozicion të pabarabartë. E katërta, në rastin e Salih Mustafës. Dhoma Kushtetuese ka refuzuar zbatimin e parimit ‘lex mitior’, zbatimi i ligjit më të favorshëm. Ky parim është pjesë e Kushtetutës dhe Konventës për të Drejtat e Njeriut. Kjo është bërë në emër të autonomisë, kundrejt rendit juridik. Është e rëndësishme që shoqëria kosovare, institucionet dhe kushdo të përmbahet nga ndërhyrja në punën e Gjykatës. E respektoj këtë parim të shenjtë, që Gjykatat duhet të jenë të lira dhe të pavarura. Duhet të ruhet pavarësia e Gjykatës. Por, asnjë shoqëri evropiane e lirë, nuk mohohet nga debati”, ka thënë Gruda.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar në prill të vitit 2023. Platforma “Liria ka emër”, më 2 prill të vitit 2023 në Prishtinë kishte organizuar një protestë në mbështetje të liderëve të UÇK-së. Kjo protestë ka qenë njëra prej protestave më të mëdha që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik se gjatë…