“Liria ka Emër” thërret marshin historik më 17 Shkurt: “Drejtësi, jo politikë” për dinjitetin e luftës çlirimtare
Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka shpallur sot mobilizim të gjerë qytetar për datën 17 Shkurt, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin “Drejtësi, jo politikë”. Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, njoftuan se ky organizim vjen në një moment kritik, kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë po hyn në fazën e tij finale.
Organizatorët theksuan se ky marsh është një domosdoshmëri për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe të vërtetën historike të Kosovës.
Ismail Tasholli, një nga përfaqësuesit e platformës, e cilësoi marshin e 17 Shkurtit si një përgjigje qytetare ndaj tendencave për të rishkruar historinë. Ai ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e asaj që ai e quajti “marshin më të madh që ka parë ndonjëherë vendi ynë”.
“Liria ka Emër fton të gjithë qytetarët e Kosovës në marsh qytetar, paqësor, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës. Në marsh për drejtësi dhe jo për politikë. Në marsh jo kundër dikujt, por për dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë,” deklaroi Tasholli.
Ai shtoi se ky moment kërkon pjekuri dhe unitet, duke nënvizuar se Kosova nuk mund të qëndrojë pasive përballë zhvillimeve që prekin themelet e shtetësisë së saj.
“Ky marsh nuk është akt i emocioneve të çastit – është akt vetëdije kolektive. Është përgjigje qytetare ndaj një procesi që do të hyjë në fazën e tij më vendimtare. Është mesazh i qartë që Kosova nuk është spektatore e fatit të saj,” përfundoi ai.
Në të njëjtën linjë, ish-deputetja dhe përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vuri theksin te rëndësia e kontekstit në proceset gjyqësore. Ajo argumentoi se drejtësia nuk mund të jetë e verbër ndaj realitetit të asaj se kush ishte agresori dhe kush viktima në luftën e Kosovës.
“Ne besojmë se drejtësia nuk mund të jetë e shkëputur nga e vërteta historike. Besojmë se proceset juridike nuk mund të lexohen pa kontekst, pa realitetin e asaj se çfarë ka ndodhur,” tha Hoxha.
Zonja Hoxha bëri thirrje që marshit t’i bashkohen të gjitha shtresat e shoqërisë, duke e cilësuar atë si një zë të bashkuar kundër heshtjes së imponuar.
“Marshi që po e thërrasim është i qytetarëve. Është marsh i fëmijëve, familjeve, të rinjve, intelektualëve, punëtorëve – është marsh i veteranëve… Është marshi i një shoqërie që nuk pranon të reduktohet në narrativa të padrejta,” shtoi ajo.



