Lirika me buisje metaforike

13 nëntor 2025 | 08:50

Sadik Krasniqi

Arif Bozaxhi, Prushi i gurit, Lena Grafik, Prishtinë, 2022

Poeti Arif Bozaxhiu vjen para lexuesve me librin më të ri, të dhjetin, me poezi, Prushi i gurit. Dyzet e tri poezitë e librit janë “shkreptima lirike”, siç do t´i quante Arshi Pipa, që i shkojnë përshtati bukurisë së stilit eliptik të këtij autori. Introspektiviteti i tij ka një kreshento përndritëse me për­masa kozmogonike. Fantazia imagjinative e lirikës së tij transcendencohet përmes një figurativiteti poetik me një unikalitet idiomatik. Struktura vargore e këtij libri është ndërtuar në variantin e gnomës sentenciale. Dendësia kuptimore e këtyre poezive, me pak fjalë e vargje, herë pas here ka tiparin e haikut. Figurshmëria e poetikës së librit bëhet përmes kontrasteve metaforike, gjegjësisht oksimoronit. Te ky libër titujt janë simbole me intencë të shndërrimit të tyre në konstrukte të ligjërimit metaforik. Krahas titujve të emëruar me simbole si: milingona, fryma, dallëndyshja, flutura, kemi edhe titujt me sintagma metaforike si: prushi i gurit, biblioteka yjesh, sheshi i yjeve, dielli peshon kaltërsi, qielli i rinisë, planeti i dashurisë, xhelozia e peshqve etj.

Arif Bozaxhiu poetikën e ligjërimit lirik e ndërton nga simboli si titull duke e përzgjeruar në sentencë të thukët si tekst metaforik, metonimik e oksimoronik si p.sh.:

Milingona

Një milingonë erdhi te syri im

ec më tha

se liria është një greminë e fshehur

pas diellit (f. 21)

Poetika e këtij libri është tërësi e një vistëri metaforash të bukura si: prushi i gurit, biblioteka yjesh, ëndërr e zjarrtë, ëndërr e gjinkallës, kurmi i natës, arka e vetmisë, pesha e gurit, grusht hi, mallkim i heshtjes, puthje e flutu­rës, adresa e dallëndyshes, sheshi i yjeve, gjak i yjeve, puthja e diellit, xhelozia e peshqve etj. Këto metafora i shërbejnë tematikës, motivit e idesë të poetit për ta shfa­qur ligjërimin e tij lirik. Lirikën e Arif Bozaxhiut e karakte­rizon insistimi në pulsimin e metaforave impresive që shfaq interspektivën autoriale. Në këtë libër ka disa sim­bole dhe metafora të përndritura, si: diell, yjet, drita, kallje, prushi i gurit, ëndërr e zjarrtë, që heroit lirik i japin kontur të Prometeut mitik. Madje edhe librin e fillon me gjakim flijues, duke u djegur për liri:

Prushi i gurit

po digjem

po digjem

në prushin e gurit

si zogu në ëndrrën e vet

syçelë për liri (f. 5)

Arif Bozaxhiu është mjeshtër i krijimit të abstraksioneve dhe absurditeteve imagjinative si poezia:

Prrockë këngësh

Në ëndrrën e gjinkallës

Kënga u thur si rrjetë merimange (f. 9)

Por di të krijojë edhe imazhe vizuale që reflektojnë me një metaforë befasuese me nuanca oksimoroni:

Lejleku

Në lumin Majn

një lejlek, pinte diellin! (f. 10)

Si në të gjithë opusin lirik të këtij autori, edhe në këtë libër gruas i këndohet me një pietet dhe adhurim. Gruaja e ka bukurinë e përsosmërisë fizike, dinjitetin e paprekshëm, është reale, mitike, madje bukuria e saj himnizohet me rekuizita kozmike duke adhuruar deri në kult.

Grua

I vetmi planet

Ku lulëzojnë yjet (f. 16)

Në këtë lirikë gjejmë edhe një epifani të bukur në formë epitafi onirik:

Ëndrra

vetëm zogjtë

mund të dinë

peshën e gurit

mbi varr (f. 209)

Arif Bozaxhiu shfaq pikëpamje diskursive edhe për poe­zinë, përmes një imagjinate me elemente kozmike:

Poezia

Poezia është gjak

i yjeve

që e shtrydh

për t´i bërë dritë

imagjinatës (f. 38)

Poetika e Arif Bozaxhiut ndërtohet përmes një stili të lartë deri në estetizëm, që këtë krijues e bën të jetë poet i vlefshëm. Poezia e tij lexohet gjithnjë e më vëmendshëm nga lexuesit që e duan dhe e çmojnë poezinë elitare. Arif Bozaxhiu me lirikën e tij të veçantë, me autenticitet superior, ka hyrë në orbitën e plejadës së poezisë shqipe, duke kaluar suazat e saj me përkthimet e herëpasher­shme në gjuhët e tjera. Edhe libri më i ri Prushi i gurit hyn në vazhdën e librave me shenjë prurjeje në poezinë moderne shqipe dhe që e gëzon lexuesin e poezisë së bukur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Nurie Zekaj, Vesë a lot, Buzuku, Prishtinë, 1991…