Lista Serbe ankohet në PZAP për vendimin e KQZ-së

22 gusht 2025 | 10:22

Lista Serbe vlerësoi tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e saj për zgjedhjet lokale të tetorit, është “i paligjshëm dhe diskriminues” i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Nga ky subjekt thanë se do të dorëzojnë ankesë për këtë vendim.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për medie më 22 gusht tha se megjithëse Zyra për partitë politike rekomandoi certifikimin, KQZ-ja vendosi që ta refuzonte këtë rekomandim.

“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e (ministres në detyrë të Drejtësisë) Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

“Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, shtoi Ellek.

Sipas Ellekut, sa i përket përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë, në njërën anë është partia e tij, ndërkaq në anën tjetër janë “disa parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti”, duke shtuar se me moscertifimin e Listës Serbe, Kurti “dëshiron ta ndajë trupin politik serb”.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së është shkruar dhe pas konferencës për media do t’i dërgohet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Bashkë me ankesën do t’i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t’u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti”, tha Simiq.

Simiq ka thënë gjithashtu se “deklaratat anemike” të bashkësisë ndërkombëtare nuk po japin rezultat, sikurse edhe reagimi i të ngarkuarës me punë të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Një ditë më parë, në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 21 gusht, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.

PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid është lidhur me një lëvizje për një mesfushor…