Lista Serbe apelon vendimin e KQZ-së për të mos ia miratuar listën e kandidatëve për deputetë

02 shkurt 2026 | 13:16

Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të këtij institucioni për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj.

Në një deklaratë për media, Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e ka cilësuar vendimin si “të paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues” dhe ka thënë se KQZ-ja ka mohuar “42.759 vota të serbëve”, duke u munduar të pengojë komunitetin serb të zgjedhë përfaqësuesit e tij.

“Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç’rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, tha Simiq.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se është duke ndjekur këto zhvillime dhe ka theksuar nevojën për “përputhje të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, veçanërisht publikimin transparent dhe të plotë të rezultateve zgjedhore”.

Gjatë fundjavës, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka dënuar gjithashtu vendimin e KQZ-së, duke e cilësuar si një sulm të ri ndaj të drejtave politike të popullit serb në Kosovë.

Ai tha se heqja e të drejtës së votës së serbëve nuk duhet të jetë praktikë dhe se Serbia do të insistojë bashkë me partnerët ndërkombëtarë për respektimin e të drejtave politike dhe elektorale të komunitetit serb.

KQZ-ja kishte përfunduar të premten procesin e rinumërimit të votave, i cili u krye pas dyshimeve për manipulime gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Pas rinumërimit, disa vota ndryshuan deri në 6 mijë për një kandidat, por rezultatet për partitë nuk u prekën.

Anëtarët e KQZ-së i miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe, ku tre anëtarë votuan për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe të tjerët abstenuan.

Sipas KQZ-së, rezultatet përfundimtare janë:

Lëvizja Vetëvendosje: 51.10% të votave, 57 ulëse

Partia Demokratike e Kosovës: 20.19%, 22 ulëse

Lidhja Demokratike e Kosovës: 13.24%, 15 ulëse

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 5.50%, 6 ulëse

Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, Lista Serbe fitoi nëntë ulëse dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë një ulëse.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar shpalljen e rezultateve “të pjesshme” dhe veprimet e KQZ-së, duke thënë se situata nuk mund të zgjidhet me votim politik brenda institucionit dhe se vendimi për mosmiratimin e Listës Serbe është i pakuptimtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familja Rexha ka bërë apel për ndihmë financiare për babain…