Lista Serbe dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD): ngjashmëritë dhe dallimet

08 maj 2025 | 17:03

Prof. Asoc. Dr. Arben Fetoshi

Bazuar në iniciativën dhe debatin gjerman lidhur me një parti politike që trajtohet si kërcënim për konsensusin demokratik, sistemin politik dhe vlerat themelore të Bashkimit Europian (BE) ku Gjermania është fuqia kryesore, kjo analizë shqyrton rastin e Listës Serbe në Kosovë, në kontekst të ngjashmërive dhe dallimeve me Alternativën për Gjermaninë (AfD). Ndonëse veprojnë në kontekste të ndryshme – e para, si zgjatim i politikës zyrtare të Beogradit që shfrytëzon “privilegjet” e Kosovës për ta luftuar shtetësinë e saj dhe e dyta si “organizatë ekstremiste” që shfrytëzon “privilegjet” e Gjermanisë për ta sfiduar rendin liberal dhe strukturat perëndimore – ato ndajnë elemente të përbashkëta ideologjike, diskursive dhe metodologjike në realizimin e qëllimeve. Qasja ndaj Perëndimit, nacionalizmit, institucioneve demokratike dhe strategjive për mobilizim qytetar, i bën të dyja me prirje drejt agjendave anti-liberale dhe pro-ruse.

Konteksti politik

Lista Serbe është një subjekt politik i themeluar në vitin 2013 me bekimin e Beogradit zyrtar, për t’i përfaqësuar interesat e komunitetit serb në Kosovë, por i cili funksionon si instrument i Qeverisë së Serbisë, me qëndrime dhe aktivitete “të urdhëruara” kundër Republikës së Kosovës. Veprimtaria e saj është e përqendruar në sabotimin e autoritetit të institucioneve dhe instrumentalizimin e qytetarëve serbë në funksion të këtij qëllimi. Kjo parti ka mbështetje publike nga Kremlini dhe përfaqëson kuptimin e aleancës serbo-ruse në Ballkan.

AfD (Alternativa për Gjermaninë) është një subjekt politik i themeluar në vitin 2013 në Gjermani, që ka fituar mbështetje gjithnjë e më të madhe përmes ashpërsimit të retorikës së ekstremit të djathtë, kundër emigracionit, Bashkimit Europian dhe multikulturalizmit si një nga vlerat themelore. Veprimtaria e saj është e përqendruar në sfidimin e konsensusit liberal-demokratik dhe institucioneve tradicionale të sistemit gjerman. Segmente të caktuara të kësaj partie kanë afërsi dhe lidhje tashmë të dokumentuara financiare e ideologjike me Kremlinin, duke ngritur shqetësime për ndikimin rus në politikën gjermane.

Ngjashmëritë:

Bazuar në metodat, diskursin dhe ideologjinë politike, ngjashmëritë e evidentuara mes këtyre subjekteve nuk janë rastësi taktike në lojën për pushtet, por shpërfaqin një strategji të rritjes së forcave politike në Europë dhe Ballkan, që minojnë rendin demokratik dhe strukturat perëndimore, duke krijuar hapësirë për interesat gjeopolitike të Rusisë.

  • Viktimizimi

Lista Serbe është një instrument i strategjisë hibride të viktimizimit, e cila duke shtyrë narrativën se qytetarët serbë në Kosovë janë të persekutuar nga institucionet, i shërben qëllimit të Serbisë për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

Viktimizimin si strategji e përdor edhe AfD-ja, por për efekte emocionale që synojnë fuqizimin e ndjesisë te gjermanët se janë të margjinalizuar brenda shoqërisë së tyre për shkak emigracionit dhe politikave liberale.

  • Nacionalizmi

Të dyja partitë mbështeten në një formë të nacionalizmit etno-kulturor, duke e prezantuar identitetin e tyre kombëtar në rrezik. Lista Serbe, përmes narrativës mashtruese “Kosova – djep i Serbisë”, që nënkupton se beteja për ta rikthyer Kosovën është luftë për identitetin nacional, dhe AfD-ja përmes “argumenteve” se integrimi europian e cenon sovranitetin dhe politikat e emigracionit përbëjnë rrezik për sigurinë e popullit gjerman.

  • Qasja anti-perëndimore

Që të dyja e kundërshtojnë rendin aktual ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Lista Serbe është parti që angazhohet kundër shtetësisë së Kosovës dhe orientimit të saj euro-atlantik, kurse AfD-ja është parti euroskeptike me qëndrim gjithnjë e më të ashpër kundër integrimit europian dhe konsensusit politik në Gjermani. Në përputhje me narrativat ruse, diskursi i tyre i përshkruan strukturat perëndimore si të korruptuara dhe të dëmshme për sovranitetin kombëtar.

  • Afërsia me Rusisë

Lista Serbe është hapur në shërbim të strategjisë hibride të Serbisë dhe ka mbështetje eksplicite nga Kremlini, duke përfaqësuar aleancën strategjike të Serbisë me Rusinë në Ballkan. Ndërkaq, segmente të caktuara të AfD-së shprehin qëndrime përkrahëse ndaj politikave të Kremlinit dhe promovojnë një rend të ri botëror alternativ ndaj Perëndimit.

  • Përdorimi i krizave

Lista Serbe i përdor vazhdimisht tensionet në veri të Kosovës për rritje të ndikimit dhe mobilizim të mbështetjes së qytetarëve serbe, duke e penguar integrimin e tyre.

AfD-ja i përdor vazhdimisht krizat që lidhen me emigrantë dhe sulmet ekstremiste apo islamike si strategji të rritjes së ndikimit dhe mobilizimit të përkrahjes qytetare.

Dallimet:

AfD-ja është parti që ka shënuar rritje shqetësuese te votuesit në Gjermani, por s’ka kufizime që lidhen me përfaqësimin e një komuniteti pakicë, derisa Lista Serbe është një parti e formuar me bekimin e Serbisë, për t’i shërbyer betejës së saj kundër Republikës së Kosovës.

AfD-ja nuk është një forcë politike që e lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjermanisë, kurse Lista Serbe është një instrument politik që vepron në Kosovë, fiton mandate të rezervuara për komunitetin serb, financohet nga buxheti i Kosovës dhe e lufton hapur pavarësinë e saj. Përtej diskursit hegjemonist, që reflekton qëndrimet e Serbisë, ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, në shtator 2023 e ka udhëhequr sulmin terrorist kundër Kosovës në Banjskë të Zveçanit dhe pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ta ndjekur penalisht, vazhdon të shëtitet i lirë në Serbi.

Më 2 maj 2025, AfD-ja u klasifikua “organizatë e ekstremit të djathtë” nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) dhe aktualisht po përballet me një debat të gjerë nëse duhet të shpallet e jashtëligjshme, ndërsa Lista Serbe vazhdon të shfrytëzojë “privilegjet” nga shteti i Kosovës, me mjetet financiare nga Fondi për Mbështetjen e Partive Politike (270 mijë euro) dhe 9 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Paradoksi politik

Lista Serbe dhe AfD-ja janë përgjithësisht të njëjta sa i përket raporteve me Rusinë, duke paraqitur kërcënim serioz për rendin demokratik dhe interesat perëndimore, mirëpo ato dallojnë për nga natyra dhe konteksti në të cilin veprojnë. E para është instrument politik që e lufton shtetin e Kosovës dhe vazhdon të gëzojë “privilegjet” e tij, kurse e dyta është “organizatë ekstremiste” që minon stabilitetin demokratik në Gjermani. Debati për ta shpallur atë të jashtëligjshme, është shprehje e vetëdijes politike kundër kërcënimeve serioze si pasojë e zhvillimeve aktuale gjeopolitike.

Në analogji me qasjen e Gjermanisë, edhe Kosova duhet ta adresojë kërcënimin që paraqet Lista Serbe, por me një qasje të kujdesshme dhe duke analizuar specifikat që kanë të bëjnë me dialogun për normalizim. Në rastin e Listës Serbe është e nevojshme një qasje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton një debat racional që nxit vetëdijen publike për paradoksin politik (vepron në shtetin e Kosovës dhe e lufton ekzistencën e tij), si dhe një monitorim rigoroz të diskursit e veprimeve të saj kundër rendit kushtetues të Kosovës. Një qasje e tillë do të nënkuptonte paralajmërimin si fazë fillestare (vendimi i BfV-së lejon masa rigoroze të mbikëqyrjes dhe vëzhgimit) dhe më pas veprimet përkatëse institucionale për ndalim, por duke e menaxhuar koston në favor të shtetit të Kosovës.

 

Autori është Drejtor në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 10.05.2025                                                    Punime në…