
Lista Serbe: Do të parashtrojmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.
“Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë. Në seancën e kaluar kam biseduar disa herë me kryetarin e Kuvendit dhe i kam tërhequr vërejtjen për shkeljet dhe parregullsitë. Nënkryetari duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë, dhe në këtë rast ai është Sllavko Simiq”, tha Igor Simiq.
Siç shtoi ai, e gjithë kjo po bëhet për t’u zgjedhur Nenad Rashiq, të cilin, megjithatë, Lista Serbe nuk e mbështet.
Simiq shtoi se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Lista Serbe dhe populli serb nuk janë pengesë e as dikush që dëshiron të bllokojë proceset, por vetëm kërkojmë që të respektohen të drejtat tona”, tha Simiq.