
Lista Serbe e akuzoi se ka fituar një deputet me votat e shqiptarëve, reagon Nenad Rashiq
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, ka deklaruar se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka siguruar një mandat në Kuvendin e Kosovës “falë” votave të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, Rashiq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thekson se në dy vjetët e fundit ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe se me punën e tij ka fituar besimin e komuniteteve të tjera joshumicë që jetojnë në Kosovë, e jo vetëm të komunitetit serb.
Lista Serbe pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, deklaroi se kishte fituar të gjitha dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb, por më 7 mars, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se “kanë harruar faktin se Rashiq është i preferuari i Prishtinës dhe regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit, prandaj do të marrë vota edhe aty ku nuk ka serbë”.
Ai përmendi si shembull faktin që partia e Rashiqit ka marrë vota në Podujevë, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Malishevë dhe Kaçanik.