
Lista Serbe e çon në Kushtetuese qeverinë Kurti, kjo është arsyeja
Lista Serbe është ankuar në Gjykatë Kushtetuese pas vendimit të qeverisë në krye me Albin Kurtin që komunitetit serb t’i takojë veç një ministri.
Lajmin e ka bërë me dije Lista Serbe në një komunikatë për medie.
“Ankimi kundërshton vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë në Prishtinë më 22 mars 2021, në të cilin komunitetit serb iu dha vetëm një ministri edhe pse sipas Kushtetutës ishte i detyruar të caktonte dy”.
“Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me të drejtën kushtetuese duke respektuar të drejtat e popullit serb, por edhe të komuniteteve të tjera joshumicë”, është thënë në komunikatën e Listës Serbe.
Më tutje, Lista Serbe ka theksuar se me këtë vendim serbëve u është mohuar përfaqësimi i drejtë në Qeverinë e Kosovës.
Lista Serbe nuk e ka votuar qeverinë në krye me Albin Kurtin, derisa të njëjtët edhe gjatë seancës kanë bërë me dije se do t’i drejtohen në Kushtetuese.