Lista Serbe: Kuvendi nuk është konstituuar, Rashiq u zgjodh padrejtësisht

10 tetor 2025 | 12:33

Deputeti Igor Simiq, nga Lista Serbe, ka thënë se, sipas kësaj partie, Kuvendi nuk është konstituuar as pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar.

“Edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë. Sot nuk është përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë”, ka thënë ai, i shoqëruar në hollin e Kuvendit nga deputetët e tjerë të Listës Serbe.

Ai ka cituar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, siç ka lexuar ai, “fituesi i zgjedhjeve nga komuniteti serb duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit për komunitetin serb”.

“Është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja”, ka thënë Simiqi.

Simiqi ka thënë se Rashiqi “është zgjedhur me forcë si deputet, e tani edhe si nënkryetar.

“E kanë zgjedhur një njeri pa thënë se ai ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit”, ka thënë Simiq, duke shtuar Lista Serbe do të ankohet ndaj këtij vendimi të Kuvendit.

Në vend të nëntë deputetëve të propozuar nga Lista Serbe, nënkryetar u zgjodh deputeti Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Rashiqi ka qenë ministër në qeverinë e deritanishme të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…