Lista Serbe lëshon Kuvendin, Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi
“Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas një pune disa vjeçare, shpalli vendim dënues për rastin e Banjskës. Dy nga tre të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vite heqje lirie.
Gjykata konstatoi me saktësi se të akuzuarit ishin të përfshirë në aktin terrorist në Banjskë të Zveçanit, përmes të cilit synohej rrënimi i rendit kushtetues dhe aneksimi i veriut të Kosovës. Pra, tri dënime, tri mësime.
Mësimet që dalin nga ky gjykim janë themelore:
-Rendi kushtetues i Kosovës dhe territori i saj janë të paprekshëm;
-Kosova po rrit kapacitetet institucionale në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit;
-Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon për sa kohë që Milan Radoiçiq, prijësi i këtij akti, mbetet i lirë në Serbi dhe i afërt me pushtetin atje.
Një mësim që nuk po merret është ai nga Lista Serbe, e cila edhe sot, si zakonisht, nuk u distancua nga akti terrorist në Banjskë, gjë që u dëshmua me largimin e saj nga salla e Kuvendit të Republikës në momentin e kumtimit të vendimit të gjykatës”, ka shkruar ndër të tjera politologu dhe analisti politik, Dorajet Imeri.



