
Lista Serbe nis peticion kundër ndërtimit të dy urave mbi Ibër
Me nismën e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, në Mitrovicë të Veriut nisi të hënën një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër.
Gurëthemelet e tyre janë vendosur më 1 korrik, me praninë e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.
Kurti ka thënë se qëllim i këtij projekti është lidhja e Mitrovicës së Veriut, me popullsi shumicë serbe, me Mitrovicën e Jugut, ku shumica e popullsisë është shqiptare.
Ai, gjithashtu, ka thënë se qeveria është e përkushtuar për një “komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh midis Veriut dhe Jugut”.
Në anën tjetër, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i ka thënë Radio Televizionit të Serbisë përpara fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.
Ai ka thënë se peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë “Radios Evropa e Lirë” më herët se çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë lumit Ibër, duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – përkatësisht me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura.
Urat, përndryshe, do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë urë qëndrojnë vazhdimisht pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, pasi ajo njihet për konflikte etnike në periudhën e pasluftës.
Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për mbylljen e saj për qarkullimin e makinave. Aktualisht, ajo është e hapur vetëm për këmbësorë. Verën e kaluar, Qeveria e Kosovës paralajmëroi se ajo mund të hapet për trafik – gjë që i rriti tensionet dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri në detyrë, Kurti, ka thënë se qeveria e tij nuk do të heqë kurrë dorë nga hapja e urës kryesore.
Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i kanë thënë më herët “REL”-it se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarët nga Mitrovica e Jugut deklaruan se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.
Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për hapjen e urës kryesore për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
I ashtuquajturi rivitalizim i urës ishte planifikuar me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe funksionalizimin e urës.
Më pas, në vitin 2016 është miratuar një plan i ri zbatimi, që synonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mbi interpretimet e ndryshme të konstatimeve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të bëhej në janar të vitit 2017.
Punimet rreth rivitalizimit të urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018 dhe ura, në të cilën u investuan 1.5 milion euro, nuk u hap kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.