Liverpooli dhe PSG-ja synojnë përmbysjen e rezultatit ndaj Atleticos dhe Dortmundit

11 mars 2020 | 12:07

Kampioni në fuqi i Evropës, Liverpool, e humbi ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit (1-0), por sonte shpreson që ta përmbysë këtë rezultat dhe të kualifikohet në çerekfinale. Trajneri Jurgen Klopp e pranon se Liverpooli nuk do ta ketë aspak lehtë të kualifikohet në fazën tjetër, por shpreson se me ndihmën e tifozëve do të arrihet synimi. “Do të jetë ndeshje ku duhet të tregojmë se çfarë kemi mësuar nga dueli i parë në Madrid dhe të dëshmojmë se vërtet duam të kalojmë tutje. Ka shumë mundësi për ne, por kundër një skuadre kualitative do të jetë e vështirë t’i gjejmë ato. Tifozët i kemi dhe duhet të tregojmë një paraqitje të jashtëzakonshme në fushë në të gjitha repartet, nëse duam të arrijmë çerekfinalen”, ka thënë Klopp.

Lajm i mirë për skuadrën angleze është rikthimi i kapitenit Jordan Henderson, i cili ka munguar në katër ndeshjet e fundit. Gjithashtu, për këtë ndeshje i gatshëm është edhe mbrojtësi anësor Andrew Robertson. Ndërkohë, mungesa, përveç Alisson Becker, janë edhe shqiptari Xherdan Shaqiri dhe Nathaniel Clyne. E në skuadrën e Diego Simones, i vetmi që mund të mos jetë i gatshëm është mbrojtësi Kieran Trippier.

Sikurse Liverpooli, edhe Paris Saint-Germain synon ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë në “Parc des Princes” ndaj Borussia Dortmundit (2-1). Klubi francez ka një përparësi të vogël, pasi ka shënuar një gol në ndeshjen si mysafir dhe ai mund të jetë vendimtar për t’u kualifikuar tutje. Ndërsa mungesë e madhe do të jenë shikuesit për PSG-në, pasi është raportuar se kjo ndeshje do të luhet me dyer të mbyllura për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit.  Marco Verratti dhe Thomas Meunier mungojnë në këtë ndeshje për shkak të kartonëve, kurse në dyshim janë kapiteni Thiago Silva dhe Colin Dagba. Gjermanët në këtë ndeshje do të jenë pa të lënduarit Marco Reus dhe Thomas Delaney.

Të mërkurën takohen:

Liverpool – Atletico Madrid                                      (0-1)
Paris Saint-Germain – Borussia Dortmund           (1-2)

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Flurim Arifi Duke i përcjell këtyre ditëve zhvillimet politike…