Liverpooli dhe Slot e përjashtojnë Salahun për ndeshjen me Interin?
Përplasja mes Mohamed Salahut dhe klubit vijon të thellohet. Sipas asaj që raporton “RMC Sport”, e cituar nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, sulmuesi egjiptian është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Interit që luhet nesër (e martë).
Vendimi është marrë nga drejtuesit e Liverpoolit në bashkëpunim me trajnerin Arne Slot. Ky zhvillim vjen pas disa javësh tensioni. Salah i ka nisur tre ndeshjet e fundit të Ligës Premier nga stoli, ndërsa në barazimin e fundjavës kundër Leeds nuk u aktivizua fare. Situata ka sjellë pakënaqësi të hapur nga ana e futbollistit.
Së fundmi, Salah ka deklaruar se marrëdhënia e tij me trajnerin Slot është përkeqësuar dhe se ndien se klubi nuk po e trajton drejt. “Është e qartë se dikush dëshiron që unë të marr të gjithë fajin. Kam thënë disa herë se kam marrëdhënie të mirë me trajnerin, dhe tani papritmas duket sikur nuk kemi asnjë marrëdhënie. Nuk e kuptoj pse”, ka thënë Salah.
Ai ka thënë se ndihet i “lënë pas dore” nga klubi, pavarësisht kontributit ndër vite. Situata mbetet e tensionuar dhe pritet të zhvillohet më tej gjatë ditëve në vijim.



