
Liverpooli ofron 130 milionë për Wirtz
Liverpooli thuhet se ka dërguar një tjetër ofertë në drejtim të Bayer Leverkusen për yllin e tyre Florian Wirtz, i cili pëlqehet edhe nga shumë klube tjera të mëdha evropiane.
Arne Slot dëshiron ta përforcoj skuadrën për edicionin e ri, pasi pas fitimit të titullit kampion në Angli, dëshiron edhe trofeun e Ligës së Kampionëve.
Kështu, sipas gazetarit të “The Athletic”, David Ornstein, Liverpooli ka paraqitur një ofertë të dytë zyrtare për mesfushorin sulmues të Bayer Leverkusen, Florian Wirtz.
Oferta thuhet se arrin në shifrën e 130 milionë eurove, duke përfshirë një tarifë të garantuar dhe bonuse të mundshme.
Wirtz është i etur të bashkohet me Liverpoolin, pasi ka shprehur preferencën e tij në bisedat me Bayern Munich, të cilët gjithashtu ishin të interesuar për të. 22-vjeçari regjistroi 16 gola dhe 15 asistime në të gjitha garat sezonin e kaluar për Leverkusen.