
Lladrovci i reagon Kurtit: Po të kishte shtet ligjor sot do të intervistoheshit nga Prokurori i Shtetit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se krimi ka zbritur në nivelin komunal.
Lladrovci, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se Kurti ka një qëndrim tepër zhgënjyes për një kryeministër që sipas tij nuk e bën dallimin e liderit të një partie dhe kryeministrit të vendit.
“Po të kishte shtet ligjor dhe të së drejtës, Ju do të duhej sot të intervistoheshit nga Prokurori i Shtetit për “krimin në pushtetin lokal”, sepse në shtet ligjor, deklaratave të tilla do të duhej t’i bashkëngjitni fakte”.
“Gjetja e armiqve të rinj të Qeverisë që ju drejtoni, është shmangie nga zgjidhja e problemeve reale të pushtetit qendror. Kjo metodë e ikjes nga përgjegjësia është e njohur, por, nuk është rruga që zgjidh çështjet jetike të qytetarëve”.
“Me këtë qasje, z. Kryeministër, organizata që ju e drejtoni jo vetëm se do të mbetet e vogël në nivel lokal, por shumë shpejt do të bëhet e vogël edhe në nivel qendror”,ka thënë Lladrovci.